Gazeta Si – Gjykata e Posaçme ka shtyrë sërish vendimin në seancën paraprake, ku do të duhej të vendosej nëse dosja “Partiazani” do të kalojë për gjykim.
Shkak për shtyrjen e seancës është bërë sërish mungesa e njërit prej avokatëve, të cilin GJKKO e ka zëvendësuar.
Data e shtyrjes që u caktua nga GJKKO, është 23 prill, ndërsa tashmë bëhen 6 muaj që prej mbylljes së hetimeve dhe pavarësisht kësaj, ende është mbajtur seanca paraprake ku do të vendoset nëse Sali Berisha, dhëndri i tij Jamarbër Malltezi dhe 3 të pandehurit e tjerë, do të kalojë ose jo për gjykim.
Në dalje nga seanca avokati i Sali Berishës, Genc Gjokutaj u shpreh se kemi të bëjmë me seancë paraprake dhe nuk mund të ketë dëshmitarë.
“Ne e ritheksuam edhe njëherë mungesën e faktit penal, shkak për të cilën kemi kërkuar pushimin e çështjes, por pjesa tjetër e mbrojtjes tonë e të gjithë subjekteve në këtë proces ishin pavlefshmëri. Pavlefshmëri e të gjitha akteve të cilat janë marrë në shkelje të ligjit procedural penal. Ky është një manual shkeljesh. Kjo dosje në të cilën gjen akte të pakomunikuara, ekspertë të palicensuar, firma të falsifikuara të cilat prokurori i dëgjon dhe hesht. Deri tani nuk kemi të bëjmë me gjykimin kemi të bëjmë se në seancë paraprake ne nuk mund të thërasim dëshmitarë ”, thotë Gjokutaj.
Të pandehur në aferën “Partizani”, janë ish-kryeministri Sali Berisha, dhëndri i tij, Jamarbër Malltezi dhe 3 të tjerë.
Prej 24 tetorit të vitit 2024, gati 6 muaj tashmë, seanca vetëm është shtyrë përmes makinacioneve të ndryshme.
Në dy herët e fundit avokatët, një herë i Malltezit e më tej i të pandehurit Xhimi Begeja paraqitën raporte mjekësore si të sëmurë.
Dërgimi në gjyq i dosjes do të ishte përballja e parë reale e Berishës dhe Malltezit me drejtësinë shqiptare.
Berisha ndodhet në masë “detyrim paraqitje” për korrupsion pasiv, masë të cilën e ka ankimuar në Gjykatën e Lartë. Dhëndri i tij Malltezi po hetohet në arrest shtëpie, i pandehur për korrupsion pasiv dhe pastrim parash.
SPAK e akuzon e ish kryeministrin Sali Berisha për korrupsion pasiv dhe përfitim, përmes Jamarbër Malltezit, të 5.4 milionë eurove që ky i fundit i ka përfituar si aksioner i kompanisë “Homeplan”.
Sipas prokurorisë, Malltezi ka përfituar aksione dhe dividente nga kjo kompani pa investuar te ajo, gjë që ngre dyshime se aksionet janë dhënë nga Bektashi në shkëmbim të veprimeve shtetërore të ndërmarra nga Berisha në favor të kompanisë, e cila njihet për zhvillimin e një blloku të madh banimi në Tiranë.
Berisha akuzohet se ka lehtësuar procesin e zhvillimit të zonës në fjalë, përmes akteve ligjore dhe nënligjore si dhe përmes ushtrimit të kontrolleve të presionit ndaj institucioneve të ndryshme qeveritare me qëllim përshpejtimin e procedurave.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.