Drejtësia

Shtyhet sërish seanca paraprake e Ilir Metës në GJKKO

Gazeta Si – Gjykata e Posaçme regjistroi një tjetër seancë të dështuar në shqyrtimin paraprak të dosjes “Meta-Kryemadhi”.

Seanca u shty për më 27 nëntor, ku shkak i ishte mungesa e avokatit të ish-presidentit Ilir Meta.

Edhe seanca e kaluar më 11 nëntor, u shty për shkak të kërkesës së avokatit të Metës, Kujtim Cakrani për përjashtimin e gjyqtares Irena Gjoka nga çështja.

Sipas Cakranit, gjyqtarja është në konflikt interesi pasi po hetohet nga SPAK nën dyshimin e falsifikimit të dokumenteve në Greqi dhe për rrjedhojë nuk mund të japë vendime.

Ndërkohë për Metën dhe të tjerët hetimet janë mbyllur që më 28 korrik. Meta dhe Kryemadhi akuzohen për korrupsion pasiv, pastrim parash dhe mosdeklarim pasurie në aferën CEZ-DIA dhe lobimin për ish-LSI-në në SHBA.

Pirro Xhixho akuzohet gjithashtu për korrupsion pasiv të funksionarëve të lartë të kryer në bashkëpunim. Ndërkohë mamaja e Monika Kryemadhit, Fatime Kryemadhi akuzohet për pastrim parash, së bashku me Ema Çokun.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë