Gazeta Si – Është rrëzuar kërkesa e avokatit të kreut të FSHF-së Armand Duka për përjashtimin e gjyqtarit të çështjes Gentian Shala.
Kështu, seanca në Gjykatën e Apelit ndaj Dukës, i cili edhe pse është zgjedhur në krye të FSHF, akuzohet për shpërdorim detyre dhe falsifikim dokumentesh, do të vazhdojë me gjyqtarin Gentian Shala.
Vendimi për rrëzimin e kërkesës u bë nga gjyqtari Ilir Toska. “S’ka asnjë konflikt, gjyqtari Gentian Shala të vazhdojë gjykimin ankimor për masën e pezullimit”, – vendosi gjyqtari. Më herët, Gjykata e Apelit e shtyu seancën për rreth një orë për të marrë këtë vendim.
Edhe pse u zgjodh për herë të gjashtë në krye të FSHF-së, Armand Duka mbetet ende nën hetim nga Prokuroria për shpërdorim detyre dhe falsifikim dokumentesh, ndërsa Gjykata la në fuqi masën e pezullimit nga detyra.
Më herët, Gjykata e Tiranës, pas hetimit për parregullsi në zhvillimin e zgjedhjeve në Shoqatën Rajonale të Futbollit të Tiranës, ka pezulluar Dukën dhe Shulkun për shpërdorim detyre dhe falsifikim dokumentesh.
Më 15 mars, pas zhvillimit të Asamblesë, Armand Duka u rizgjodh për herë të 6-të si president i FSHF-së.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




