Treg

Shtyhet sërish ligji për rivlerësimin e pronave. Kuvendi e parashikon për në 31 tetor

Parlamenti ka shtyrë sërish afatin për miratimin e ligjit “Për rivlerësimin e pasurive të paluajtshme”. I parashikuar që të shqyrtohej në korrik të këtij viti, Kuvendi ka vendosur ta shtyjë fillimisht për në shtator këtë nismë ligjore, pastaj në 3 tetor (kalendari) dhe tani për në fund të tetorit. Tashmë, sipas Kalendarit të Punës së Kuvendit, është parashikuar që ligji të shqyrtohet në 31 tetor (kalendari).

Është e paqartë nëse do të respektohet edhe ky afat i ri, pasi komisionet përgjegjëse parlamentare, ai i Ekonomisë dhe ai i Ligjeve, ende nuk e kanë marrë në shqyrtim.

Iniciativa ligjore për rivlerësimin e pasurive të paluajtshme u paraqit në maj të vitit 2024 nga deputetja socialiste, Blerina Gjylamenti. Në draftin fillestar parashikohej që vlera e rivlerësimit do të ishte 3 përqind.

Që në korrik të këtij viti, aktorët e tregut imobiliar në Shqipëri, ngritën alarmin se vonesat dhe shtyrjet në miratimin e rivlerësimit të pronave me 3% nga ana e Parlamentit, ka dëmtuar tregun imobiliar në vend, duke bllokuar shumë transaksione në shit-blerjen e pronave, pasi shitësit kanë tërhequr pronat nga tregu, në pritje të miratimit.

Propozimi i deputetes Gjylameti u dërgua në Kuvend në maj të këtij viti dhe synon formalizimin e tregut të pasurive të paluajtshme. Në rast miratimi, ligji do të jetë i shtrirë deri në qershor të 2025-s.

Qytetarët apo bizneset mund të bëjnë rivlerësimin pranë Kadastrës ose me një agjent pronash.

Hera e fundit që nisi një fushatë rivlerësimi ishte në 2020-n dhe përfundoi në fund të 2021-shit. Sipas të dhënave të Kadastrës atëherë u rivlerësuan 56.623 banesa. Vendimi i 2020-s lejonte rivlerësim 3% për qytetarët dhe 5% për bizneset.

Sipas të dhënave të Regjistrit Kombëtar të Adresave (RKA), rezulton se në Shqipëri numërohen 471 mijë e 945 apartamente dhe në total 774 mijë e 431 ndërtesa.

Në fund të verës së shkuar, qeveria miratoi çmimet e reja të referencës për qarkun e Tiranës, po ashtu me synimin e formalizimit të tregut.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë