Drejtësia

Shtyhet sërish gjyqi për Fatmir Mediun, ekspertët e thirrur për dëshmi replikojnë me gjykatën

Gazeta Si- Gjykata e Posaçme shtyu për në 12 qershor seancën gjyqësore ndaj ish-ministrit të Mbrojtjes, Fatmir Mediu, nën hetim për tragjedinë e Gërdecit, ku humbën jetën 26 persona në mars 2018.

Shkak i shtyrjes së seancës u bë mungesa e dy prokurorëve, të cilët ishin në një angazhim jashtë vendit.

Të pranishëm në seancën, ku do të debatohej mbi provat e prokurorisë ishin edhe 5 ekspertët që kanë përgatitur aktin ekonomiko-financiar.

Ndonëse seanca nuk është zhvilluar normalisht, ekspertët kanë replikuar me gjykatën, duke i thënë se i kanë thirrur kot, pasi qëndrimin e tyre e kanë dhënë në aktin e 16 viteve më parë.

Ekspertët deklaruan në gjykatë se nuk kanë pse të jenë pjesë e procesit.

“Kemi qenë të atashuar në prokurori për shkak të detyrës që kemi patur, por nuk kemi qenë të licencuar. Nuk mbajmë mend çfarë kemi bërë përpara 16 vitesh. Atë që kemi pasur për të thënë e kemi bërë përpara 16 vitesh përballë prokurorit Sokol Stojani. Si mund të përgjigjemi ne sot kur kanë kaluar 16 vite. Unë nuk jam ekspert, të vijë prokurori Stojani në gjyq me të cilin kemi folur në atë kohë”.

Një tjetër ekspert mbajti të njëjtin qëndrim. “Jemi mbi 70 vjeç, çfarë mund të dëshmojmë për diçka kur ka kaluar kaq kohë. Sa akte kemi bërë ne si mund të pretendohet të mbajmë mend të gjitha”.

Gjyqtarja Irena Gjoka iu tha dëshmitarëve se “jeni të detyruar të jepni shpjegime para gjykatës për një akt që e keni bërë ju”.

GJKKO ka pranuar që të thërrasë në total 71 dëshmitarët e SPAK mes tyre dhe djali i ish kryeministrit, Shkëlzen Berisha si dhe një numër të madh të dëshmitarëve të palës mbrojtjëse.

Me nismë të Zamira Durdës dhe familjarëve të tjerë që humbën të afërmit e tyre në shpërthimin e Gërdecit, SPAK rihapi hetimet për çështjen dhe akuzon Fatmir Mediun për “Shpërdorim detyre” kryer në bashkëpunim, “Shpërdorim detyre” në bashkëpunim me subjekt ushtarak-kuadër komandues për shpërthimin në “fabrikën” e demontimit të armëve ku u vranë 26 persona dhe u plagosën qindra të tjerë në 2008.

Pak ditë më parë, Gjykata e Strasburgut, pranoi padinë e familjarëve të viktimave të Gërdecit për ngjarjen tragjike të ndodhur para 15 vitesh dhe që është marrë në dorë nga SPAK.

Sipas vendimit, që ishte në favor të familjeve të prekura, theksohet se gjatë procesit ka pasur shkelje procedurale dhe Gjykata kërkoi dëmshpërblim prej 12 mijë eurosh për Zamira dhe Feruzan Durdajn, familjen e një prej 26 viktimave të tragjedisë.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë