Gazeta Si – E akuzuar si spiune në Shqipëri, është shtyrë sërish seanca ndaj shtetases ruse Svetlana Timofeeva për ekstradim pas kërkesës së Rusisë, edhe pse 33-vjeçarja e ka refuzuar një kërkesë të tillë.
Shkak, kësaj radhe ka qenë kërkesa e saj, që në dokumentet e Prokurorisë së Elbasanit për ekstradim, t’i paraqiten në gjuhën ruse.
Seanca e radhës do të mbahet më 17 mars.
LEXO EDHE:
– ‘Misioni sekret’ i eksplorueses ruse që po përballet me gjyqin për spiunazh në Shqipëri
– ‘Lojë spiunësh’, a mundet që Rusia të ekstradojë Svetlana Timofeevan?
“U shty sepse rusja kërkoi kërkesën e Prokurorisë në gjuhën ruse”, – është shprehur avokati i saj.
Edhe në seancën paraardhëse, pati debate për shkak se gjykata vendosi të shtyjë afatin e paraburgimit, vendim që u quajt shkelje flagrante nga mbrojtja.
Avokati i saj, Saimir Vishaj, kundërshtoi kërkesën e prokurorisë dhe kërkoi përjashtimin e gjyqtares së çështjes, por kërkesa u rrëzua.
Timofeeva u arrestua gushtin e vitit të shkuar së bashku me dy persona të tjerë, me akuzat për spiunazh.
Dy rusët Mikhail Zorin, 23-vjeç, Svetlana Timofeeva, 33-vjeç dhe 25-vjeçari ukrainas Fiodor Mihailoviç, po fotografonin ambientet në Uzinën e Armëve në Gramsh.
Teksa tentuan që të futen brenda, ata u pikasën nga ushtarët shqiptarë, të cilët u kanë bërë me shenjë që të ndalojnë.
Ata nuk u janë bindur urdhrave të ushtarëve shqiptarë, ndërsa njëri prej tyre i ka sulmuar me spraj kimik.
Të tre u arrestuan, ndërsa u hetuan edhe si spiunë të shërbimit sekret rus. Në makinën me targa ukrainase që po përdorej prej tyre gjatë qëndrimit në Shqipëri, u gjetën 2 dronë, 4 celularë, 1 laptop, 1 kamer, karta memorie, 3 pasaporta, 2 aparate fotografikë, harta.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




