Drejtësia

Shtyhet seanca për inceneratorin e Elbasanit, i pranishëm në seancë ishte dhe Alqi Bllako

Gazeta Si – Shtyhet sërish seanca gjyqësore për inceneratorin e Elbasanit, që duhej të mbahej këtë të enjte në Gjykatën e Posaçme, GJKKO.

Shkak është bërë mungesa e dy avokatëve në sallë të dy të pandehurve, Serafin Papa dhe Bardhyl Çabiri. Ndërsa mësohet se seanca e radhës do të mbahet më 8 qershor.

Ndërsa ish-ministri Lefter Koka përfaqësohej nga avokati i tij, i pranishëm në seancë ishte edhe Alqi Bllako, ish-deputeti i PS dhe një prej të pandehurve në këtë aferë.

Ndërkaq, avokati i ish-ministrit Lefter Koka, Dritan Hamitaj, në një prononcim për mediat, ngriti pretendime se konkluzionet e prokurorisë janë të paqarta.

“Duhet të ketë një rrjedhë logjike në konkluzionet e prokurorisë, në lidhje me pasuritë që dyshohen të përfituara. Lefter Koka është bërë ministër në vitin 2014, kantina nuk mund të lihet në sekuestro sa kohë që është ndërtuar që në fund të viteve ’90. Si mund të kërkohet konfiskimi i kësaj prone?

Pasuria e sekuestruar është shumë më e madhe se ajo që pretendohet se është përfituar nga korrupsioni, produkti i krimit që kërkon të sekuestrojë prokuroria është i paimagjinueshëm”, u shpreh avokati i Kokës, Dritan Hamitaj.

Në seancën e fundit më 18 maj,  Prokuroria e SPAK shpalli pretencat për inceneratorin e Elbasanit, ku kërkoi 10 vite burg për ish-ministrin Lefter Koka, i cili me gjykim të shkurtuar të vuajë 6 vite e 8 muaj burg.

Ish-ministri Lefter Koka akuzohet për “shpërdorim detyre” e kryer në bashkëpunim, “korrupsion pasiv i funksionarëve të lartë shtetërore ose i të zgjedhurve shtetërorë” si dhe “pastrim i produkteve të veprës penale apo i veprimtarisë penale”, kryer në bashkëpunim.

Për ish-sekretarin e përgjithshëm dhe ish-deputetin Alqi Bllako, SPAK ka kërkuar 4 vite burg. Sipas SPAK, Bllako është deklaruar fajtor për veprën penale ‘shpërdorim detyre’ e kryer në bashkëpunim, i cili për shkak të gjykimit të shkurtuar mund të dënohet me 2 vite e 8 muaj burg.

Për Klodian Zoton, SPAK ka kërkuar që të dënohet me 10 vite burg, për veprat penale “Korrupsioni aktiv i funksionarëve të lartë shtetërorë ose i të zgjedhurve vendore”, “Pastrimi i produkteve të veprës penale apo i veprimtarisë kriminale”. për shkak të gjykimit të shkurtuar i pandehuri mund të dënohet me 6 vite burgim.

SPAK ka kërkuar që Stela Gugallja të dënohet me 7 vite burgim për veprat penale,  ‘Korrupsioni aktiv i funksionarëve të lartë shtetërorë ose i të zgjedhurve vendore’, ‘Pastrimi i produkteve të veprës penale apo i veprimtarisë kriminale’. nëse gjykata pranon pretencën e prokurorisë, Gugallja mund të dënohet me 4 vite e 8 muaj burg.

Ndaj Mirel Mertirit rëndon vepra penale “Pastrimi i produkteve të veprës penale apo i veprimtarisë kriminale”, e kryer ne rrethanën cilësuese “në bashkëpunim” dhe SPAK kërkon dënimin e tij me 9 (nëntë) vjet burgim. Me gjykim të shkurtuar, Mertiri përfundimisht dënohet me 6 vjet e 8 muaj burgim.

SPAK ka kërkuar edhe mbylljen e firmave”Albtek Energy” dhe “Integrated Technology Services” sh.p.k dhe konfiskimin e tyre. Ndaj të gjithëve aplikohet gjykimi i shkurtuar, por veç burgut SPAK kërkon si dënim të dytë heqje të të drejtës për të ushtruar funksione publike për pesë vjet.

Kërkesat e SPAK:

Lefter Koka, SPAK kërkon 10 vite, përfiton 6.8 me gjykim të shkurtuar.

Alqi Bllako, SPAK kërkon 4 vite, përfiton 2 vite 8 muaj me gjykim të shkurtuar

Mirel Mërtiri 10 vite burg, përfiton 6 vite e 8 muaj me gjykim të shkurtuar

Stela Gugallaj 7 vite burg, përfiton 4 vite e 8 muaj me gjykim të shkurtuar

Klodjan Zoto 10 vite burg, përfiton 6 vite e 8 muaj me gjykim të shkurtuar

Pëllumb Abeshi 4 vite burg, 2 vite e 8 muaj me gjykim të shkurtuar

Jonida Zeqo 4 vite burg, 2 vite e 8 muaj me gjykim të shkurtuar

Serafin Papa 4 vite burg, përfiton 2 vite e 8 muaj me gjykim të shkurtuar

Bardhyl Çabiri 4 vite burg, përfiton 2 vite e 8 muaj me gjykim të shkurtuar


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë