Gazeta Si - Pak më shumë se 3 orë ka zgjatur këtë të martë seanca paraprake e dosjes "Metamorfoza", edhe pse Gjykata e Posaçme vendosi ta shtyjë për më 8 tetor seancën e radhës për të akuzuarit.
Në seancën ku ka qenë i pranishëm edhe kreu i SPAK, Altin Dumani, si një nga prokurorët që ka drejtuar hetimet, palët janë përfshirë në debat mbi mënyrën si janë administruar të dhënat e aplikacionit "Sky ECC" nga drejtësia shqiptare.
Avokatët e të pandehurve kanë pretenduar paligjshmëri, pretendim që është kundërshtuar nga prokurorët.
Në seancën paraprake, organi i akuzës ka shpjeguar mënyrën si kanë ardhur këto komunikime në vendin tonë, që janë disponuar me letër-porosi sipas ligjit. Në fakt, sipas avokatëve, Prokuroria ka pranuar që janë përgjime dhe i gjithë diskutimi është juridik.
Gjatë seancës, ish-prokurori i Kukësit, Xhevahir Lita, ish-drejtuesi i Forcave Operacionale, Oltion Bistri dhe boksieri, Asmer Bilali kanë kërkuar gjykim të shkurtuar.
Ndërkohë, biznesmeni me influencë në zonën e Velipojës, Pëllumb Gjoka, i cili nga bisedat e përgjuara rezulton si organizator atentatesh në bashkëpunim me grupin "Bajri", përmes avokatëve të tij mbrojtës ka kërkuar gjykim të zakonshëm bashkë me të pandehurit e tjerë.
Në dosjën "Metamofoza", përmes përgjimeve telefonike u zbuluan vrasje, tentativa vrasjesh dhe një sërë krimesh të tjera, ku protagonist ishin edhe ish shefi i operacionales, Oltion Bistri dhe ish-prokurori Xhevahir Lita.
Ky operacion goditi një grup kriminal në Shkodër dhe provat e mundësuan nga autoritetet e drejtësisë franceze dhe belge përmes zbërthimit të aplikacionit të koduar, "Sky ECC".
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.