Seanca gjyqësore ndaj ish-kryeprokurorit Adriatik Llalla nëse do të shpallej i pafajshëm apo do të shkonte në burg, është shtyrë për shkak të mungesës së avokatit. Për pasojë gjyqtarët kanë vendosur një gjobë prej 20 mijë lekësh për avokatin e Llallës, Sokol Hazizaj.
Llalla ka kërkuar praninë e avokatit për vazhdimin e procesit, por seanca e radhës ndaj tij është përcaktuar që të mbahet më 29 korrik.
Adriatik Llalla, ish-Prokurori i Përgjithshëm, është dënuar me 2 vite burg dhe 5 vite që të mos ushtrojë asnjë funksion publik nga Shkalla e Parë.
Ai u gjet fajtor për veprën penale të fshehjes së pasurisë për të paktën tre raste. Tashmë çështja ka kaluar në Apel dhe nëse lihet në fuqi vendimi i Shkallës së Parë, ish-Prokurori i Përgjithshëm do të prangoset në sallën e gjyqit, pasi vendimi i Apelit është i ekzekutueshëm.
Adriatik Llalla u bë zyrtari më i lartë shqiptar i dënuar ndonjëherë nga një gjykatë në vend. Llallës i janë sekuestruar 4 sipërfaqe toke dhe një shtëpi në Durrës për llogari të shtetit.
Sipas gjykatës, Llalla ka blerë prona me çmim të ulët i ka rivleruar nga 4 deri në 12 herë me çmime më të larta pasi nuk kishin origjinë të ligjshme për krijimin e ketyre pasurive.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




