Taksa

Shtyhet përsëri miratimi i draftit të taksave, Shalsi: Do e rishikojmë. Tabaku: I ndryshoni me porosi

Nga Gazeta ‘SI – Ndryshimet e propozuara në ligjin e taksave kombëtare janë shtyrë përsëri nga Kuvendi në seancën e sotme plenare (13 prill). Ky vendim që u tha se u shty për “arsye teknike”, u shoqërua me debate nga deputetët demokratë dhe ato socialistë.

Deputetja e PD-së, Jorida Tabaku u shpreh se është e turpshme përmbajtja e këtij projektligji ku bëhet për interes të një prodhuesi e jo për fermerët që kanë më shumë nevojë. Ajo shtoi se shtyrja e miratimit është një tjetër nga ato që në parlament “vijnë me porosi”.

Tabaku cilësoi ligjin si “klientelist sepse prek vetëm një prodhues, pijet e homogjenizuara (barista) dhe hirrën e qumështit, që në fakt i shërbejnë një grupi të vogël njerëzish sa mund t’ia vendosësh emrin ligjit akoma pa ardhur në parlament.”

“Parlamenti sot ka nevojë të dëgjojë së çfarë skeme incentivimi për fermerët po bëhet; si ndihmon kjo skemë për të rritur dhe nxitur eksportet; si ndihmon skema aktuale me pagesën e TVSH-së, por njëkohësisht dhe me mungesën e rimbursimit për fermerët për të nxitur ekonominë e fshatit që jemi në një periudhë shumë të vështirë”, tha Tabaku.

Deputeti Bujar Leskaj, pjesë e komisionit të ekonomisë kërkoi që kreu i këtij komisioni, Eduard Shalsi duhet t’i informojë deputetët se për çfarë informacionesh apo ndryshimesh të reja bëhet fjalë, pas 4 muajve që diskutohet në komision.

Të tjerë deputetë nga opozita thanë se shtyrja po bëhet që qeveria ta miratojë atë pas zgjedhjeve.  

Kreu i komisionit të Ekonomisë dhe deputeti, Eduard Shalsi iu kundërpërgjigj Tabakut duke thënë se ajo është keqinformuar për përmbajtjen e pr/ligjit. Ai tha se nuk ka tërheqje, por vetëm shtyrje dhe i ftoi ata të shkonin në komision.

“Keqardhje që Tabaku është e keqinformuar ose dezinformon. Do të ftoja në takimet me grupet e interesit. Kemi qëndruar deri natën vonë. Kemi zhvilluar disa takime me grupe të ndryshme interesi, kemi vizituar edhe mjediset e tyre, duam të sigurohemi që po korrektojmë një gabim që është bërë. Kemi marrë dhe një shqetësim për të cilin ne jemi shumë të ndjeshëm por së paku duhet të ishim serioz që nëse jeni të shqetësuar, ejani në këto tryeza. Ka një qëllim të qartë ky ndryshim. S’kemi rënë dakord për aspektin teknik por qëllimi është të korrektojë një gabim të bërë. Nuk kemi droje të pranojmë që kur një gjë s’bëhet mirë, ta rregullojmë. Ju jeni të pagabueshëm”,- tha Shalsi.

Pandeli Majko, deputeti socialist, shpjegoi se shtyrja e miratimit të këtij projektligji është pasojë e një kërkesë deputetësh që kanë komunikuar me grupet që preken, blegtorë e fermerë dhe kanë kërkuar rishikim.

Ndryshimet në ligjin “Për taksat kombëtare” u propozuan që në tetor 2022 nga ministria e Financave. Atëherë drafti nxiti reagime të forta nga bizneset, që i dyfishohen penalitetet dhe prodhuesit e birrës që do iu unifikohet akciza e birrës.

Fillimisht, ministrja Delina Ibrahimaj pati lajmëruar se ai do të miratohej deri në fund të vitit, por u shty për të shmangur ndryshimet fiskale në një vit jo shumë të mirë siç qe 2022-shi. Fillimi i vitit 2023 ishte afati i radhës, që përsëri nuk ndodhi.  


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë