Drejtësia

Shtyhet për arsye sigurie seanca për Dritan Dajtin, për të dënuarin përjetë mungoi dhe video-konferenca

Gazeta Si - Mungesa e sigurisë fizike që mund të çonte në një arratisje të mundshme, ka detyruar Gjykatën e Elbasanit të shtyjë seancën gjyqësore në ngarkim të Dritan Dajtit, i cili ka bërë kërkesë për lirimin e tij.

Megjithatë, Dajti kërkoi të ishte i pranishëm përmes një video-konferencë që të mund të kontaktonte me avokatët e tij që e përfaqësonin në seancë.

Por për sa kohë që IT-ja nuk e mundësoi kërkesën e tij, u vendos që seanca e radhës të shtyhet për të hënën në orën 13:30.

Dajti ndodhet i izoluar në Burgun e Peqinit, kurse avokati tha se klienti i tij ka shprehur pakënaqësi, që nuk është lejuar të marrë pjesë fizikisht në seancë.

“Prisnim që Dritan Dajti të ishte i pranishëm. Klienti im i shqetësuar pse nuk është lejuar prania në gjykatë”, tha mbrojtja e tij.

Avokati i Dritan Dajtit, Alban Qefa tha se seanca nuk u zhvillua për shkaqe teknike, ndërsa lajmëroi se seanca do të mbahet të hënën, por virtualisht.

“Është vendosur që Dritan Dajti të mos shoqërohet për arsye sigurie në Gjykatën e Elbasanit. Ka pasur një urdhër, më pas gjyqtarja që ka shqyrtuar këtë çështje, u ka kërkuar që të zhvillohet në video konferencë, por teknikisht nuk u realizua, pasi nuk kishim kushtet teknike. Iu la detyrë IT të sigurojë kushtet për kontaktet ditën e hënë. Është kërkesa është për konstatimin e kryerjes së dënimit. Nuk është kërkesë për lirim, por Dritan Dajti do të dijë pse ndodhet në burg”, u shpreh avokati i Dajtit.

Pak ditë pasi Gjykata e Lartë e riktheu në burgim të përjetshëm Dritan Dajtin, ai i është drejtuar me një kërkesë burgut të Peqinit për lirim nga qelia.

Përmes avokatit, Dajti ka drejtuar një kërkesë Gjykatës së Elbasanit, ku pretendon se dënimi i tij me 25 vite burg është kryer dhe se institucioni i vuajtjes së dënimit duhet të niste procedurën e lirimit të tij.

Por, sipas vendimit, Dritan Dajti do të vuajë dënimin në një burg të sigurisë së lartë, ku është gjetur fajtor për vrasjen e policëve Kastriot Feskaj, Altin Dizdari, Sajmir Duçkollari dhe Fatos Xhani, më 7 gusht të vitit 2009 në Durrës, gjatë një operacioni për arrestimin e tij.

Vendimi i Gjykatës së Apelit për dënimin me 25 vite burg të Dritan Dajtit, është rrëzuar nga Gjykata e Lartë para pak ditësh, e cila ka rikthyer në burg përjetë me një vendim të datës 11 qershor.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë