Drejtësia

Shtyhet seanca paraprake ndaj Veliajt, ‘Burgjet’: Refuzoi të dilte nga qelia për në gjyq

Gazeta Si – Gjykata e Posaçme shtyu për më 19 janar seancën e radhës të shqyrtimit paraprak ndaj kryebashkiakut Erion Veliaj dhe të bashkëpandehurve.

Mbrojtja e Veliajt, pretendoi se që prej orës 07:00 të kësaj të hëne, kryebashkiaku ishte në pritje të furgonit të policisë për shoqërimin në Tiranë, por mbërriti në orën 09:00, në të njëjtën kohë që mbahej dhe seanca.

Sipas tyre, kjo ishte një nga arsyet e shtyrjes së seancës paraprake nga ana e GJKKO-së. Nisur nga ky pretendim, Drejtoria e Burgjeve ka reaguar, teksa rrëzon pretendimet e të paraburgosurit për “korrupsion, fshehje dhe mosdeklarim pasurie, pastrim parash”, për orarin e transferimit të tij në GJKKO.

Në një njoftim zyrtar, IEVP Durrës, thotë se “mjetet e Policisë së Burgjeve kanë qenë të pranishme në ambientet e IEVP-së në kohën e parashikuar. Në momentin e njoftimit, shtetasi E.V., ka refuzuar të dalë, duke pretenduar se mjeti i Policisë së Burgjeve ishte vonuar”.

Më herët, GJKKO, i refuzoi Veliajt kërkesën që të revoktonte një vendim të mëparshëm të gjykatës për ta lejuar që të dilte nga kafazi i qelqtë për t’i vënë në dispozicion aktet e dosjes dhe një formë që të njihej me to.

Veliaj ndodhet në paraburgim që prej 10 shkurtit të këtij viti, i akuzuar për pastrim parash, mosdeklarim pasurie, korrupsion pasiv në 9 raste, shpërdorim detyre dhe futje të sendeve të ndaluara në qeli.

Bashkëshortja e tij, Ajola Xoxa, akuzohet për mosdeklarim pasurie, fshehje të të ardhurave dhe pastrim parash, ndërsa në dosje është e përfshirë edhe ish-deputetja Klotilda Bushka për veprime që pengojnë zbulimin e së vërtetës. Kjo e fundit kërkoi pushim të çështjes.

Kryebashkiaku e ka ankimuar disa herë masën e sigurisë “arrest me burg”. Së fundmi, edhe në Gjykatën Kushtetuese, së cilës i kërkon shfuqizimin si të papajtueshëm me Kushtetutën të tre vendimeve të GJKKO-së dhe Gjykatës së Lartë, dhe kthimin e çështjes për rigjykim në Gjykatën e Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar për shkak të shkeljes së rëndë të procesit të rregullt, proporcionalitetit dhe prezumimit të pafajësisë.

Në korrik të këtij viti, Gjykata e Lartë vendosi të mos ndryshojë masën ndaj tij, duke lënë në fuqi vendimin e Apelit.

Ndërsa, më 3 nëntor, Kushtetuesja vendosi me shumicë votash në favor të tij, duke e kthyer në detyrën e kryebashkiakut të bashkisë më të madhe në vend pasi u shkarkua nga Këshilli Bashkiak.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë