Gazeta Si – Shtyhet seanca e pajtimit për divorcin mes ish-presidentit Ilir Meta dhe deputetes Monika Kryemadhi.
Seanca në fjalë mësohet se është shtyrë për në muajin prill dhe shkak u bë mosparaqitja e Kryemadhit në seancë, ku ishte parashikuar nëse mes tyre do të kishte pajtim ose jo.
Ndërkaq edhe vetë Meta nuk ishte i pranishëm, si pasojë e masës së sigurisë “arrest me burg” të vendosur që prej tetorit të vitit të kaluar por kishte lënë autorizim avokatin e tij, Genc Gjokutaj.
Seanca e radhës u caktua më 11 prill pra 10:30. Edhe vetë Meta nuk ishte i pranishëm, por kishte lënë autorizim avokatin e tij, Genc Gjokutaj.
Meta dhe Kryemadhi vendosën të divorcohen pas më shumë se 25 viteve martesë. Lajmin e konfirmoi vetë ish-presidenti (tanimë në qeli) në qershor të vitit të shkuar.
Para arrestimit, Ilir Meta mohoi në një dalje të tij publike që shkak i ndarjes mes tyre të jetë një grua tjetër, por tha se vendimin e mori për t’i shërbyer një kauze që tejkalon interesin personal.
Ilir Meta e kishte akuzuar Monika Kryemadhin për tradhti në politikë, ndërsa ish-bashkëshortja e tij tha se “Metën e kanë iluminuar të tjerët kundër meje”.
Meta, i cili ka mbajtur postin e ish-presidentit të vendit dhe ish-kryetarit të Parlamentit, ndodhet i arrestuar prej 21 tetorit 2024 dhe bashkë me Monika Kryemadhi po hetohen nga SPAK për tre akuza: “pastrim parash, korrupsion dhe mosdeklarim pasurish”, në lidhje me dosjen e CEZ DIA dhe lobimin e LSI-së në SHBA.
Meta dhe Kryemadhi janë martuar në tetor 1998 dhe nga martesa kanë tre fëmijë, Bora, Besar dhe Era Meta.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)



