Drejtësia

Shtyhet në 1 dhjetor seanca për Laert Haxhiun pas debateve në gjyq mes avokatit dhe gjyqtarit

Gazeta Si – Seanca gjyqësore ndaj Laert Haxhiut është shtyrë në datën 1 dhjetor, pasi Gjykata e Posaçme ka kërkuar kohë për të relatuar provat shkresore, për të të dalë më pas me pretencën.

Çështja për të shumëkërkuarin e drejtësisë shqiptare, i akuzuar për disa vepra penale (i arrestuar në Greqi), ka ngjallur debate mes avokatit Detar Hysi dhe relatorit të seancës, Erjon Çela.

Hysi kërkon që gjykata të pranojë kërkesën e tij për heqjen dorë nga përfaqësimi i Haxhiut, duke argumentuar se ky i fundit nuk dëshiron që të mbrohet pikërisht nga ai.

Po ashtu, sipas avokatit, edhe familjarët e 32-vjeçarit nuk janë dakord që ai të përfaqësojë Laert Haxhiun.

Trupa gjykuese e kryesuar nga Erjon Çela, relatoi se Hysi do të qëndrojë në gjykatë deri sa avokati kryesisht Elvis Gorishti të jetë njohur me aktet e çështjes objekt gjykimi, sipas Kodit të Procedurës Penale.

Gjykata po ashtu ka marrë vendim që procesi gjyqësor të vijojë në mungesë të Laert Haxhiut, pasi ky i fundit ka refuzuar njoftimin në burgun grek, ku ndodhet i ndaluar në pritje të ekstradimit të tij drejt vendit tonë.

Gjyqtari Erjon Çela, në fund relatoi që avokati Hysi në seancën e radhës duhet të sjellë një prokurë të firmosur nga familjarët e Laert Haxhiut që i heqin avokatit përfaqësimi e klientit të tij.

Gjithashtu, duhet që prokurorja e çështjes Doloreza Musabelliu të paraqesë me shkrim përmbledhjen e provave shkresore për t’ju a vënë në dispozicion avokatëve.

Laert Haxhiu është duke u gjykuar në mungesë për atë që njihet si masakra e Lushnjës, ngjarje e ndodhur në shtator të vitit 2017.

Në atë rast, humbën jetën Jurgen Hoxha dhe Zamir Latifi. Objektivi i atentatit dyshohet të ishte Xhulio Shkurti, nipi i Aldo Bares, një kundërshtar i Laert Haxhiut në Lushnjë.

Laert Haxhiu ndodhet i arrestuar në Greqi në pritje të vendimit të Gjykatës së Apelit për ekstradimin e tij drejt vendit tonë, edhe pse ai ka kërkuar azil në shtetin grek.

Grupi i Laert Haxhiut u godit gjatë operacionit “Kurrë mos harro” pas dëshmisë së Artan Tafanit. Ky i fundit, anëtar i bandës së Laert Haxhiut, u bë bashkëpunëtor i drejtësisë dhe rrëfeu krimet e këtij grupi.

Haxhiu dhe pjesa tjetër e të arrestuarve, akuzohen se janë autor të 4 vrasjeve në Shqipëri, si dhe për disa plane vrasjesh dhe ngjarjeve të tjera të ndodhura me shpërthim tritoli. Disa prej ngjarjeve janë ende në proces verifikimi dhe hetimi.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë