Drejtësia

Shtyhet më 12 shtator procesi për anëtaren e KPK-së Etleda Çiftja

Gazeta Si – Procesi ndaj Etleda Çiftjes, anëtare e Komisionit të Pavarur të Kualifikimit në GJKKO, është shtyrë për në 12 shtator. Pretenca u shty për shkak të mungesës së prokurores.

Çiftja akuzohet se ka bërë deklarim të rremë për blerjen e apartamentit të banimit, të dy parcelave tokë arë me sip 1450 m2 dhe me sip 3440 m2, mënyrën e fitimit të pronësisë për dy sipërfaqet e tokave arë si dhe në lidhje me qëllimin e  marrjes së një kredie.

Pak javë më parë, prokuroria e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, mori të pandehur Çiften për akuzat “deklarim i rremë” dhe “falsifikim” në formë përdorimi.

Deklarimi i rremë është kryer nga Çiftja në komisionet e përzgjedhjes së saj për një pozicion në Komisionin e Pavarur të Kualifikimit.

Ajo është anëtarja e tretë nën hetim nga SPAK. Ndërkohë Çiftja vazhdon të ushtrojë funksionin e anëtares së Komisionit të Pavarur të Kualifikimit.

Vendimin për shtyrjen, avokati i Etleda Çiftjes e quajti të qëllimshëm: “Bindja ime personale, është që prokuroria që në fillim e di mirë që s’ka fajësi, ne thjesht presim të bindim e gjykatën për këtë. Në bindjen time, duke lexuar materialet e prokurorisë, prokuroria është shumë e bindur për pafajësi”.

Pak ditë më parë, GJKKO pranoi kërkesën e saj për gjykim të shkurtuar nëse do të shpallet fajtore.

Etleda Çiftja është anëtarja e tretë e institucioneve të vetingut që procedohet penalisht dhe merret e pandehur nga SPAK.

Më parë janë proceduar anëtarët e Kolegjit të Posaçëm të Apelimit, KPA, Ardian Hajdari dhe Luan Daci, ky i fundit i shkarkuar pasi u dënua me vendim të formës së prerë për falsifikim të formularit të aplikimit që mundësoi zgjedhjen e tij si anëtar i Kolegjit.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë