Drejtësia

Shtyhet gjyqi për ‘Partizanin’ kundër Berishës dhe Malltezit, avokatët kërkojnë pavlefshmëri të provave

Gazeta Si – Shtyhet për në 13 tetor, ora 12:00, seanca e radhës për aferën “Partizani”, pasi të pandehurit kanë kërkuar pavlefshmëri të akteve, ku ish-kryeministri Sali Berisha, dhëndri i tij Jamarbër Malltezi dhe tre të tjerë akuzohen për “korrupsion” dhe “pastrim parash”.

Seanca nisi rreth orës 11:00, ku në sallë u paraqit vetëm Jamarbër Malltezi, ndërsa Sali Berisha u përfaqësua nga avokatët e tij, përfshirë edhe Genc Gjokutajn.

Sokol Hazizaj, avokati i Fatmir Bektashit dhe përfaqësues ligjor i kompanisë “Homeplan”, pretendoi se akuzat nuk qëndrojnë.

Edhe avokatja e Andia Pustinës, Klodjana Gjyzari kërkoi pavlefshmëri të akteve.

Ajo gjithashtu kërkoi kthimin e çdo sendi të sekuestruar në studion Pustina. Ndërkohë, prokurori i SPAK, Arben Kraja kërkoi kohë për t’u shprehur për kërkesat e bëra nga ana e mbrojtjes së të pandehurve. “Do të shprehem në seancën e radhës”.

Në seancën e kaluar, mbrojtësit e Berishës dhe Malltezit kërkuan pavlefshmëri absolute të hetimeve dhe të të gjitha akteve procedurale të SPAK, duke argumentuar se Prokuroria ka tejkaluar kompetencat e saj duke vepruar si gjyqtar dhe duke zëvendësuar institucionet e tjera si Kuvendi dhe Gjykata Kushtetuese.

Avokatët argumentuan gjithashtu për paligjshmërinë e gjyqtares Irena Gjoka, e cila sipas tyre ka vazhduar detyrën në kundërshtim me ligjin. Ky ishte edhe një nga shqetësimet kryesore të ish-kryeministrit Berisha, i cili u paraqit seancën e kaluar në gjykatë në zbatim të masës së sigurisë.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë