Gazeta Si – Gjykata e Posaçme ka shtyrë seancën paraprake për dosjen e koncesionit të “Sterilizimit”, ku mes 9 të pandehurve është edhe ish-ministri i Shëndetësisë Ilir Beqaj, i cili akuzohet për shpërdorim detyre dhe grup kriminal në bashkëpunim me zëvendësin e tij, Klodian Rrjepaj dhe biznesmenin Ilir Rrapaj.
Shkak për shtyrjen e seancës u bë një deklaratë e avokatit Ermal Yzeiraj, ku ai shprehej se nuk ishte në gjendje të mirë shëndetësore.
Ndërsa e njëjta gjë u pretendua edhe nga vetë Beqaj i cili mungoi në seancën e kaluar duke argumentuar se është sëmurë dhe kërkoi që gjyqi të mos zhvillohej pa të.
Seanca e radhës është caktuar të mbahet pas dy javësh, ndërsa gjykata e posaçme caktoi Florian Bonjakun, si avokat për Beqajn duke i dhënë edhe kohë të njihet me aktet hetimore.
Nga ana tjetër Beqaj nuk ngurroi të shfaqte refuzimin e tij, duke iu drejtuar avokatit me fjalët: “Paske lexuar 50 mijë faqe të dosjes? Hajde më tako në burg”.
Aktualisht ish-ministri mbahet në burg për abuzimin me fondet e BE-së gjatë kohës kur drejtonte agjencinë “SASPAC”. Ndërsa për aferën e “Sterilizimit”, gjykata i kishte caktuar “detyrim paraqitje”.
Sa i takon hetimeve për “Sterilizimin”, SPAK thotë se janë përdorur kosto të rreme të shërbimi në QSUT për vitin 2013, duke vendosur vlerat e barnave dhe medikamenteve mjekësore, që nuk janë pjesë e këtij shërbimi. Kjo kosto është rritur dhe mbivlerësuar në mënyrë të rreme në masën 56.4%. Për këtë aferë janë marrë të pandehur 9 persona.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.