Nga Gazeta ‘SI’ – Komisioni për Ekonominë dhe Financën miratoi sot shtyrjen e afatit të ligjit për “Investimet Strategjike” deri më 31 dhjetor 2026, me synim tërheqjen e investimeve nga sipërmarrës vendas dhe të huaj.
Ndryshimi i miratuar sot, që pritet të diskutohet dhe miratohet në seancë plenare, parashikon zgjatjen e afatit për paraqitjen e kërkesave nga subjektet investuese që dëshirojnë të përfitojnë lehtësirat e parashikuara nga ligji “Për investimet strategjike”.
Gjatë prezantimit të projektligjit, deputetja e Partisë Socialiste, nismëtare Pranvera Resulaj tha se, “paketa e plotë ligjore u hartua në vitin 2015 si një paketë pilot që do ti jepte një zgjidhje të mëtejshme projekteve në sektor strategjik të përcaktuar sipas këtij ligji”.
Sipas saj, nga viti 2016 e deri tani janë trajtuar 117 projekte investimi nga AIDA prej të cilave: 55 kanë përfituar status strategjik, 30 projekte janë refuzuar 29 projekte janë në fazë vlerësimi.
“Sa i takon projekte të parashikuar deri në vitin 2030, pritet që ato të arrijnë një vlerë investimi prej 2.7 miliardë euro dhe të sigurojnë çeljen e 24 323 vendeve të reja pune”, tha Resulaj, teksa informoi se, ka një interes shumë të lartë të subjekteve për investime, dhe fluksi dhe stoku i investimeve të huaja në vend janë në shifrat më të larta krahasuar me 10-vjeçarin e fundit.
Aj tha se, qëllimi i ndryshimeve ligjore është tërheqja e investimeve strategjike dhe mbështetja për investitorët vendas dhe të huaj. Kjo përfshin edhe lehtësimin e procedurave për investimet strategjike dhe mundësinë e aplikimit për këtë status në të gjitha sektorët e ekonomisë.
“Një aspekt i rëndësishëm i ndryshimeve është zgjatja e afatit deri më 31 dhjetor 2026 nga 31 dhjetor 2024 që ishte parashikuar më parë, për paraqitjen e kërkesave nga subjektet investuese që dëshirojnë të përfitojnë nga këto lehtësira”, u shpreh Resulaj.
Resulaj theksoi se, ndryshimet e paraqitura synojnë nxitjen e investimeve në sektor të rëndësishëm të ekonomisë dhe rritjen e fluksit të investimeve në vendin tonë.
Deputet e opozitës, shprehën shqetësim se këto ndryshime në ligj për të 6 herë, nuk favorizojnë projekte ne sektor strategjike të ekonomisë, por mund të favorizojnë ndërtimin nga njerëz afër qeverisë të objekteve në zona të ndryshme të vendit, bregdet apo së fundi në zonat malore ku toka jepet falas ose me 1 euro.
Nga ana tjetër, drejtuesja e AIDA-s, Laura Saro, theksoi se ndërtimi për banesa nuk përfiton nga lehtësirat që ofron ky ligj, duke sqaruar se investimet strategjike që kanë përfituar nga statusi i investitorëve strategjikë janë të shumta dhe kanë sjellë një impakt të rëndësishëm në ekonomi./ATA
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.