Shendet

Shtrimet në Psikiatri: Të gjithë duan të vijnë në Tiranë. Te burrat s’ka më shtretër bosh

Nga Gazeta Si – “Isha përgatitur të shtroja babain ditën e premte, sipas konsultës me mjeken psikiatre. Por një ditë më parë u njoftova se nuk ka shtretër të lirë dhe tani duhet të pres javën e ardhshme. Kam pasur shumë vështirësi derisa e binda të vinte në Tiranë, tani më duhet të punoj sërish me të për të ardhur në spital. Por më e keqja është se sjellja e tij ndaj nesh është e padurueshme dhe ka nevojë urgjent për mjekim të specializuar’.

E reja që flet, me inicialet E.T., 30 vjeç nga Durrësi, jeton prej vitesh me stresin e ankthin se një tragjedi e mundshme mund të ndodhë në familjen e saj për shkak të sjelljes së pakontrollueshme të të atit, kryesisht ndaj gruas së tij.

“Babi im, sot 65 vjeç, prej 5 vitesh ka shfaqur sjellje agresive ndaj mamit si pasojë e xhelozisë, çka e bën atë të konfrontohet madje dhe fizikisht. Hera e fundit ishte javën e shkuar kur ai e rrahu dhe nisi ta shajë në rrugicë me fjalor të rëndë duke e akuzuar se e tradhëtonte. Unë jam zhvendosur prej vitesh në Tiranë ndërsa vëllai im jeton në Itali. Babi ka qenë gjithmonë hijerëndë dhe me mamin grindej shpesh por pas të 60-ave sjellja e tij është rënduar dhe ajo që po e vuan direkt këtë është mami”, tregon vajza me lot në sy.

Për Gazetasi.al, vajza thotë se babai i saj, 5 vite më parë u mjekua për herë të parë pas një konsulte me një mjek psikiatër në Durrës, por i pinte ilaçet rregullisht, çka bëri që ai të përsëriste shpesh sjelljet agresive. Shtoji këtij problemi dhe alkoolin, dhe ai u bë i dhunshëm duke shfryrë mbi gruan.

“Sheh imazhe, i duket se ia përflasin mamin se e tradhëton, duket sikur i sheh ata, madje ia thotë në sy që ke këtë të dashur apo atë. Mami tregon se babi ka qenë xheloz që në moshën 30 vjeç kur u martua, por me kalimin e kohës ai u rëndua. Mendoj se kanë ndikuar dhe situatat gjatë jetës, vdekjet e dy motrave në moshë të re, nëna e tij e së fundi, dëmtimi i rëndë që pësuam nga tërmeti ku na humbi shtëpia. Mua më vjen keq shumë për të, por më shumë më dhimbset mami që në moshën 60 vjeç duhet të durojë sherrin dhe goditjet e tij e mbi të gjitha akuzat e rënda duke e bërë që të ketë turp të dalë në lagjen ku janë rritur dhe kanë kaluar mbi 30 vjet”, thotë vajza.

Bindja për t’u shtruar në spital, sfidë e familjarëve

Të bindësh një person të prekur nga sëmundjet e shëndetit mendor të shtrohet në spital, për këdo që e ka provuar, është sfidë që jo kushdo arrin ta përballojë.

Në rastin e 65-vjeçarit, e bija thotë se pas krizës së fundit nervore që kaloi, arriti ta bindë të vijë në Tiranë për t’u shtruar në spitalin psikiatrik.

“Mjekja psikiatre më ndihmoi shumë me konsultën e saj, ku ia parashtrova të gjitha simptomat. Sipas saj, kemi të bëjmë me një rast të një skizofrenie që po e prek dalëngadalë shkaktuar nga stresi postraumatik që ka kaluar personi më herët. Mjekja më shpjegoi se psikoza (halucinacionet apo fiksimet e babit) e kanë rënduar gjendjen mendore të të sëmurit ndaj duhet të shtrohet urgjent. Kështu e binda por në spital shtretër nuk ka deri javën e ardhshme”, tregon vajza për Gazetasi.al.

Ajo është e shqetësuar për situatën në familje deri ditën që babai do të shtrohet pasi përsëritja e krizës nervore mund të ndodhë.

Nisur nga ngjarjet e fundit të tragjedive me viktima gratë, vajza thotë se i frikësohet kësaj, pasi nëna e saj jeton vetëm me të atin e sëmurë.

Në spitalin psikiatrik, pavionet e meshkujve e femrave janë çdo ditë të mbushur me pacientë të moshave të ndryshme, nga 20-70 vjeç. Mjekët thonë se falë një ndërgjegjësimi për rrezikun e sëmundjeve të shëndetit mendor, familjarët po kërkojnë ndihmë të specializuar. Por Spitali i Psikiatrisë në Tiranë nuk mund të përballojë nevojat e të gjithë vendit, ndërkohë që pavijoni i burrave në këtë spital thuajse është “paralizuar” pasi nuk ka më shtretër bosh për shkak të kërkesave të larta.

Disa familjarë që presin të shtrojnë të afërmit e tyre, i thanë Gazetës “Si” se përveç Tiranës ata nuk u besojnë spitaleve të tjera në Shqipëri.

“Në Tiranë ka gjithmonë mjekë më të mirë dhe shërbim më të mirë. Ne e dimë që spitali psikiatrik në  Elbasan ka qenë një ferr për këdo që shtrohej atje, ndaj ne duam që të afërmit tanë të jenë të sigurt që do të marrin trajtimin e duhur të specializuar dhe do të jenë nën mbikëqyrjen e mjekëve specialistë’, thonë ata.

Sipas të dhënave të studimit më të fundit demografik në Shqipëri, të vitit 2017-2018, gratë janë më të ekspozuara ndaj depresionit se burrat.

Studimi tregoi se 13% e vajzave dhe grave dhe 18% e djemve dhe burrave të grup-moshave 15-59 vjeç raportojnë se ndihen në depresion për një kohë të gjatë.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë