Treg

Shtrenjtimi i energjisë për furrat paralajmëron rritje tjetër të çmimit të bukës. Shoqata propozon tri zgjidhje

Nga Gazeta ‘Si’ – Rikthimi i debatit të çmimit të energjisë për furrat e bukës, ngriti menjëherë pikëpyetjet nëse do të rritet edhe çmimi i bukës.

Enti Rregullator i Energjisë ka kërkuar disa herë që prodhuesit të cilët prodhojnë vetëm bukë të vazhdojnë të paguajnë çmimin preferencial 7.6 lekë/kWh. Ndërsa bizneset e tjera që prodhojnë dhe shesin edhe produkte të tjera veç bukës, mund të paguajnë çmimin real të energjisë, 18.8 lekë/ kWh.

Në një vëzhgim që Gazetasi.al bëri në disa furra buke të cilat prodhojnë edhe produkte pastiçerie, konstatoi se nuk mund të përjashtohet një rritje e çmimit por megjithatë, është herët për të folur për këtë.

Nga “Buka e Artë Qato”, një furrë e cila ofron dhe produkte pastiçerie, një nga shitëset thotë se nëse çmimi i energjisë do të rritet, atëherë bizneset për të kompensuar kostot, mund të rrisin çmimet.

Të njëjtën gjë pohojnë edhe nga “Buka Gjermane” ku theksojnë se situata do të vijojë varësisht se sa do rëndohen kostot e tyre.

Rritja e mundshme e çmimit të bukës do të varet nga kostot e energjisë

Përfaqësues të Shoqatës së Bukës pohojnë për Gazetasi.al se prej disa kohësh nga ERE u është kërkuar furrave të bukës, ndarja e ambienteve në dy aktivitete, aty ku ka produkte pastiçerie dhe aty ku ka vetëm prodhime buke.

Gëzim Peshkëpia, kreu i Shoqatës tha për Gazetasi.al se kërkesa e tyre për ndarjen e ambienteve me dy linja faturimi të energjisë elektrike është teknikisht e pamundur.

“Kjo do të kërkonte jo vetëm objekte të ndara por edhe dy certifikata pronësie, dy licenca nga tatimet dhe kushte të tjera plotësuese nga AKU-ja për të dy ambientet.”

“Është një nxitje artificiale për të krijuar precedent konflikti”, thotë Peshkëpia

Peshkëpia thotë se prej vitesh tashmë në dyqanet e tregtimit të bukës nuk tregtohet vetëm ky produkt, por edhe një larmi të tjerash.

“Është një fenomen që ka nisur prej shumë kohësh. Furrat e bukës tani nuk asociohen vetëm me prodhimin e saj por edhe një gamë të gjerë, deri tek kafeja. Megjithatë, e vendosin vetë bizneset se si do të veprojnë. Gjithçka do të varet nga sa do të paguajnë ato për energjinë”, vëren ai për Gazetasi.al.

Në gjendjen e krijuar, Shoqata i ka bërë tre propozime qeverisë:

1- Furrat e bukës që prodhojnë vetëm bukë të jenë në ambient të ndarë pa certifikatë pronësie dhe me sahat matës të veçantë, 7.6 lekë/kWh.

2- Furrat që prodhojnë bukë dhe prodhime brumi të kenë tarifim alternativ 9.5 lekë ose të studiohet me një grup të përbashkët.

3- Prodhimi dhe shitja e pastiçerive ku nuk ka prodhim buke të jetë me tarifimin 140 lekë.

“Shpresojmë që qeveria të ketë një vëmendje më të madhe ndaj Prodhuesve të Bukës, këtij sektori aq jetik, të prodhimit artizanal që gjithsesi po përballet me problemet e shumta që solli pandemia dhe rritja e çmimeve të përbërësve të bukës. Veçanërisht me mungesën e theksuar të punonjësve dhe specialistëve të bukës”, deklaron ai.

Për periudhën 2021-2022 çmimi i bukës u rrit 3 herë radhazi.

Shtrenjtimi i parë nisi në muajin shtator të 2021-shit ku buka masive nga 70 lekë u rrit në 80 lekë. Rritja e çmimit u ndikua nga shtrenjtimi i miellit të bukës nga 50 lekë në 55 lekë në muajin gusht.

Në mesin e muajit mars të vitit të shkuar çmimi i bukës shënoi sërish rritje prej 20%, duke arritur në 100 lekë për copë, për shkak të shtrenjtimit të miellit.

Mungesa e fuqisë punëtore solli rritje tjetër të çmimit të bukës nga 1 prilli i këtij viti. Disa biznese në Berat pohuan se janë të detyruar të rrisin çmimin, pasi kanë shtuar pagat e punonjësve.

Aktualisht janë rreth 400 furra buke që paguajnë çmim preferencial.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë