Gazeta Si – Çmimi i miellit dhe bukës, do të shtrenjtohet në rast se merret vendimi për shtrenjtimin e energjisë elektrike, ka paralajmëruar Shoqata e Mullisëve të Kosovës të cilët kanë kërkuar që të mos shtrenjtohet çmimi i saj për mullitë e bluarjes së grurit.
Është thënë se çmimi i bukës do të arrijë deri në 1 euro.
Shoqata e Mullisëve të Kosovës ka dërguar komente në Zyrën e Rregullatorit të Energjisë (ZRrE) lidhur me propozimin për shtrenjtimin e energjisë elektrike në Kosovë.
“Në koston e prodhimit të miellit ndikim të madh ka energjia elektrike. Shoqata e Mullisëve të Kosovës kërkon që të mos ketë shtrenjtim të energjisë elektrike për fabrikat që merren me bluarjen e grurit dhe misrit nga se prodhojmë landën e parë themelore që ndikon në standardin e popullatës dhe nëse shtrenjtohen energjia elektrike për këtë degë industriale duhet të jeni të vetëdishëm se do të pasojë shtrenjtimi i lartë i miellit dhe i bukës si pasojë e shtrenjtimit të energjisë elektrike”.
Shoqata e Mullisëve thotë se për shkak të numrit të madh të furrave në Kosovë që rrjedhimisht ka sjellë konkurrencë të madhe, çmimi i bukës në Kosovë nuk është ngritur për dallim nga vendet e rajonit.
Duke folur për zhvillimet e fundit në lidhje me paralajmërimet për ngritje të çmimit të energjisë elektrike, mullisët thonë se një rritje e çmimit të energjisë elektrike për ta do të kishte ndikim të madh në koston e prodhimit të miellit.
Rrjedhimisht ata paralajmërojnë rritje të çmimit të bukës nëse edhe fabrikat që merren me përpunimin e grurit preken nga rritja e energjisë elektrike.
Ditë më parë kryetari i PDK-së, Memli Krasniqi, e ka kritikuar Qeverinë Kurti se nuk po vepron në mënyrë proaktive për të parandaluar rritjen e çmimeve.
Krasniqi tha se në rast të përshkallëzimit të konfliktit mes Rusisë dhe Ukrainës, vendi ynë do të përballet me kriza të reja, duke përfshirë edhe rritjen e çmimit të miellit.
“Nëse vërtet përshkallëzohet konflikti Rusi-Ukrainë, situata le që do të përkeqësohet për energjinë, ne do të kemi situata të reja të përkeqësimit të situatës, po e marr një shembull, do të ngritët çmimi i miellit dhe si pasojë çmimi i bukës. Unë besoj deri në 1 euro ka me u bo buka në Kosovë nëse kjo situatë ndodh, qeveria duhet të blejë rezerva, por ata nuk merren me këtë punë, nuk ua pret mendja, kjo është temë që edhe në nivel të Bashkimit Europian diskutohet”, tha Krasniqi.
Më 17 janar ZRrE ka publikuar një raport konsultativ në kuadër të shqyrtimit të jashtëzakonshëm që e kanë bërë për ndryshimin e tarifave të energjisë elektrike.
Duke e marrë për bazë një zotim të Ministrisë së Ekonomisë se do t’i ndajë 75 milionë euro për ta zbutur ndikimin e krizës energjetike në tarifa, ZRRE thotë se nuk ka nevojë për rritje të çmimit të rrymës për ata konsumatorë që nuk shpenzojnë më shumë se 600 kWh rrymë në muaj. Kësisoj, organi që rregullon aktivitetet në sektorin e energjisë në Kosovë thotë se mjetet e ndara nga Qeveria do ta shmangnin nevojën për rritjen e çmimit të rrymës për këtë kategori konsumatorësh.
Sipas ZRRE-së, konsumatorët që shpenzojnë deri në 800 kWh energji elektrike në muaj dhe ata që shpenzojnë edhe më shumë se kaq, nuk do t’i ndihmojë as subvencioni i Qeverisë.
Në raportin e ZRRE-së propozohet që tarifa për konsumatorët me 800 kWh rrymë të shpenzuar në muaj të rritet në vlerë prej 13.31 eurosh. Ndërsa konsumatorët që shpenzojnë 1000 kWh rrymë në muaj, sipas propozimit të ZRRE-së përballen me një rritje prej 24.62 euro të çmimit të rrymës.
Çmimet e produkteve ushqimore kanë vazhduar të rriten edhe gjatë muajve të fundit në Kosovë.
Sipas Agjencisë së Statistikave norma vjetore e inflacionit në muajin e kaluar ka arritur në 5.7 për qind. Ngritjen e këtyre çmimeve sipas Agjencisë së Statistikave të Kosovës është rritur kryesisht te buka, mishi, qumështi dhe druve.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




