Treg

Shtrëngimi i kredive bankare, shqiptarët drejt institucioneve financiare

Në tremujorin e parë të vitit 2019 është vënë re se kërkesa për kredi si nga ana e bizneseve ashtu edhe nga ane e individëve ka rënë.

Dokumenti i Vrojtimit të Aktivitetit Kreditues të Bankës së Shqipërisë gjen se individët si rezultat i shtrëngimit të kritereve të kreditimit nga ana e bankave të nivelit të dytë, u janë drejtuar për kredi konsumatore, pavarësisht se me interesa më të larta, institucioneve financiare të mikro kredive.


Standardet e kreditimit për
individët dhe pritjet për tremujorin e ardhshëm

Dokumenti i BSH-së tregon se standardet e kreditimit për individët u raportuan disi më të shtrënguara në tremujorin e parë të vitit 2019. Shtrëngimi i lehtë i standardeve, rezulton raporti, u raportua në kreditë për blerje banese, ndërkohë që standardet në kreditë konsumatore ishin disi më të lehtësuara nga një tremujor më parë.

Sipas raportit, kërkesa e individëve për kredi u raportua më e ulët në tremujorin e parë të vitit, kryesisht në sajë të një kërkese më të reduktuar për kredi konsumatore. Bazuar në opinionin e bankave të nivelit të dytë, kërkesa për kredi e individëve vlerësohet se do të jetë më e lartë në tremujorin e dytë të vitit 2019, në të dyja kategoritë: atë konsumatore dhe atë për blerje banese.


Kërkesa aktuale për kredi dhe pritjet për tremujorin e ardhshëm për
individët

Sipas perceptimit të bankave, rënia e kërkesës për kredi në tremujorin e parë nga ana e individëve u shkaktua nga: përdorimi më i lartë i burimeve të brendshme të financimit; kreditë nga bankat dhe institucionet financiare jobanka; besimi konsumator; si edhe zhvillimet aktuale dhe të pritura në tregun e banesave. Në kahun rritës të kërkesës për kredi, ka ndikuar nevoja e shtuar për financimin e konsumit.

Kërkesa e bizneseve për kreditim

Edhe kërkesa për kredi e bizneseve u perceptua më e ulët në tremujorin e parë të vitit 2019.

Ajo u raportua më e ulët si në kreditë për qëllim investimi, ashtu edhe në atë për likuiditete.


Kërkesa aktuale për kredi dhe pritjet për tremujorin e
ardhshëm për bizneset

Parë në prizmin e madhësisë së biznesit, rënia më e theksuar e kërkesës për kredi u vlerësua nga ana e bizneseve të vogla e të mesme.

Në tremujorin e dytë të vitit 2019, bankat presin një kërkesë të shtuar të bizneseve për kredi. Kërkesa vlerësohet të jetë më e lartë si nga bizneset e mëdha, ashtu edhe nga ato të vogla e të mesme. Po ashtu, bazuar në opinionet e bankave, kërkesa e bizneseve pritet të jetë më e lartë si në kreditë për qëllime likuiditeti, ashtu edhe ato për investime.

Faktorët e perceptuar nga ana e bankave në përcaktimin e një kërkese më të ulët për kredi të bizneseve në tremujorin e parë të vitit 2019, ishin: rënia e nevojës për financimin e likuiditeteve; përdorimi më i lartë i burimeve të brendshme të financimit nga ana e bizneseve; situata e perceptuar ekonomike dhe perspektiva e saj; besimi i biznesit; si edhe nevojat më të ulëta për financim nga ana e bizneseve, si pasojë e ristrukturimit të kompanive.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë