Nga Gazeta Si- Numri i vdekjeve në Shqipëri gjatë 2024 u rrit me 3.8 për qind krahasuar me vitin 2023, në një total prej 22.102 vdekje, nga 21.286 vdekje një vit më parë.
Sipas Instat, Sëmundjet e qarkullimit të gjakut mbeten shkaku kryesor i vdekjeve dhe përbëjnë 52.9 për qind të totalit në 2024, duke shënuar një rritje nga 2023 ku zinin 51.7 për qind të rasteve.
Një rritje rastesh ka parë edhe grup sëmundja “Simptoma, shenja dhe sëmundje të papërcaktuara mirë”, nga 20.9 për qind në 2023 në 21.5 për qind në 2024.
Brenda këtij grupi, vdekjet nga pleqëria përbëjnë 70,7 %.
Një rënie të lehtë të vdekjeve ka nga “Tumoret” por mbeten një nga 3 shkaqet kryesore të vdekjeve.
Tumoret malinje të aparatit të tretjes përbëjnë 34,6% të rasteve, tumoret malinje të aparatit të frymëmarrjes: 23,9% dhe tumoret malinje të organeve urogjenitale 15,1%.

Ndërkohë, sëmundjet e aparatit të qarkullimit të gjakut janë shkaku kryesor i vdekjeve për të dyja gjinitë ndërsa sëmundjet e papërcaktuara mirë janë më të shpeshta tek gratë.
Ndërsa tumoret shkaktojnë më shumë vdekje tek meshkujt.
Vdekshmëria sipas moshës
Për grupmoshën 0-19 vjeç, dominon grupi “Sëmundje që shfaqen në periudhën rreth lindjes” me 30,8 %, i ndjekur nga sëmundjet e aparatit të qarkullimit të gjakut me 26,2 %.
Ndërsa për personat 20-44 vjeç, dëmtimet traumatike dhe helmimet përbëjnë 28,0 % dhe sëmundjet e aparatit të qarkullimit të gjakut zënë 32,7 %.
Bie vdekshmëria foshnjore
Në 2024 kishte 110 vdekje foshnjore, nga 144 në vitin 2023.
Norma e vdekshmërisë foshnjore ishte 4,7 për 1.000 lindje të gjalla në 2024, nga 6,1 për 1.000 në vitin 2023.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.