Shendet

Shtohen të rinjtë që preken nga kanceri i zorrës së trashë, mjekët: Simptomat që s’duhen anashkaluar

Kanceri kolorektal shpesh mendohet se prek njerëzit e moshuar, por një në pesë raste të diagnostikuara sot në botë ndodh tek njerëzit më të rinj se 55 vjeç, krahasuar me një në 10 raste në vitin 1995, sipas një studimi të fundit të publikuar nga Shoqata Amerikane e Kancerit.

Nuk ka asnjë shpjegim të qartë për këtë prirje, por një studim i ri i sapopublikuar në revistën “Science” tregon një numër arsyesh të mundshme, duke përfshirë faktorët mjedisorë dhe gjenetikën. Shkalla e ulët e analizave dhe diagnoza e gabuar tek njerëzit që nuk dyshojnë për kancer ka të ngjarë të luajnë gjithashtu një rol.

“Ne po vijmë në një pikë ku nuk duhet ta konsiderojmë kancerin kolorektal një sëmundje vetëm të të moshuarve”, tha Andrew Chan, profesor në Harvard.

Gjetjet zbuluan gjithashtu se “pacientët po e zbulojnë sëmundjen pasi ajo ka avancuar, gjë që është shumë shqetësuese pasi shkalla e mbijetesës është 90 për qind nëse zbulohet herët”, thotë Rebecca Siegel, drejtoreshë në Shoqatën Amerikane të kancerit.

Rritja e shifrave të të prekurve nga kanceri i zorrës së trashë ka bërë që të ndryshojnë rregulloren, që të fillojë ekzaminimi në moshën 45-vjeçare, jo 50.

Gjithsesi Siegel thotë se ato me faktorë rreziku mund të kenë nevojë të fillojnë ekzaminimet më herët, duke shtuar se pothuajse një e treta e pacientëve me kancer kolorektal janë me një historik familjar të sëmundjes.

“Derisa të shohim që këto tendenca të fillojnë të ndryshojnë, do të duhet të vazhdojmë të shqyrtojmë se cilat strategji të përshtatshme duhet të marrim për të frenuar këtë rritje”, tha Chan.

Identifikimi i faktorëve të rrezikut kolorektal

“Rezultatet e rrezikut gjenetik mund të jenë të dobishme për identifikimin e atyre që mund të kenë më shumë gjasa të zhvillojnë kancer kolorektal në një moshë të re, por mund të jenë më efektive nëse marrin parasysh ndërveprimin me faktorët mjedisorë”, sugjeron Marios Giannakis, onkolog.

Pyetja është se cilët faktorë mjedisorë? Është një punë e madhe, e shtrenjtë dhe e vështirë për tu kryer pasi konsiston në mostra që përfshin gjakun, jashtëqitjen dhe indet të mbledhura për një kohë të gjatë.

Faktorët e stilit të jetesës në fillim duken një fajtor i vogël për fillimin e hershëm të sëmundjes, por realiteti është më i ndërlikuar. Pesha e tepërt trupore rrit rrezikun e kancerit kolorektal, por vetëm rreth 5 për qind e kancereve kolorektal i atribuohen peshës së tepërt trupore. Pesha e tepërt është gjithashtu e lidhur kryesisht me tumoret në anën e djathtë të zorrës së trashë, jo me zorrën e majtë, ku shoqëria e kancerit zbuloi se po ndodhin rritjet e rasteve.

Pesha e tepërt është gjithashtu një faktor rreziku më i madh për burrat sesa për gratë, megjithatë tendenca është e ngjashme për të gjithë njerëzit.

“Dieta, obeziteti dhe pasiviteti fizik mund të jenë shkaktarët e kësaj rritjeje, por kjo nuk është historia e plotë”, tha Chan.

“Ka kontribues të tjerë që mbeten për t’u zbuluar, dhe unë mendoj se janë ato faktorë mbi të cilët ne duhet të përqendrojmë vëmendjen tonë, sepse ato do të jenë gjëra që potencialisht mund të kenë një ndikim më të madh në reduktimin e incidencës”.

Giannakis thotë se konsumi më i lartë i pijeve të ëmbla me sheqer, si dhe i mishit të kuq dhe të përpunuar janë faktorë të mundshëm. Të tjera përfshijnë “antibiotikë, toksina mjedisore më të përhapura kudo dhe norma më të larta të procedurave kirurgjikale”.

Ajo që të gjithë këta faktorë kanë të përbashkët është një efekt në mikrobiomën, popullatën e baktereve dhe mikroorganizmave të tjerë që popullojnë sistemin tretës të njeriut.

Mjeku Mark A. Lewis, thotë se sëmundja e hershme “shpjegohet pjesërisht nga përdorimi i antibiotikëve në fëmijëri dhe në moshë madhore, siç tregohet më bindshëm, në studimin e vitit 2019 nga Mbretëria e Bashkuar”.

Kushtojuni vëmendje simptomave shqetësuese

“Është sfiduese të tregosh se sa rritja e vdekshmërisë është për shkak të faktorëve më të mëdhenj të rrezikut kundrejt niveleve të ulëta të vizitave, veçanërisht në zonat rurale ose me të ardhura të ulëta, por ka të ngjarë që të dyja”, tha Rishi Naik, pedagog.

Giannakis thotë se ende nuk është e qartë nëse sëmundja tek të rinjtë është më agresive ose thjesht kapet shumë vonë ose të dyja. Një studim i Siegel vuri në dukje se pacientëve simptomatikë nën moshën 50 vjeç iu desh 40 për qind më shumë kohë për të marrë një diagnozë në krahasim me pacientët më të vjetër.

“Është e rëndësishme që pacientët dhe mjekët të hetojnë në mënyrë rigoroze simptomat dhe shenjat, të tilla si gjakderdhja rektale dhe mungesa e pashpjegueshme e hekurit”.

Simptomat më të zakonshme për kancerin kolorektal te pacientët më të rinj janë dhimbjet e barkut, humbje peshe e pashpjegueshme, ndryshime në madhësinë ose pamjen e jashtëqitjes dhe gjakderdhje rektale, e cila ndodh në 46 për qind të rasteve me fillim të hershëm krahasuar me 26 për qind të rasteve te të rriturit mbi moshën 50 vjeç.

Burimi: National Geographic. Përshtati: Gazeta Si.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë