Shendet

Shtohen të rinjtë me ankth. Psikologët: Më të prekura grupmoshat 15-30 vjeç

Nga Anxhela Çelanji – Ndjenjat e shqetësimit ose nervozizmit janë pjesë e jetës për shumë njerëz. Megjithatë, kur bëhen të vazhdueshme dhe ndërhyjnë në jetën e përditshme, krijojnë ankth që kërkon trajtim.
Psikologu Elton Kuqja i pyetur nga Gazetasi.al nëse janë shtuar të rinjtë që marrin medikamente për ankthin, shpjegon se abuzimi me ilaçe është në rritje te të rinjtë, pasi ne pjesën dërrmuese ata mendojnë se vetëm kështu mund ta zgjidhin problemin me ankthin.
“Grupmosha më e prekur është 14-25 vjeç, që bëjnë eksperiment me antidepresivët”, shpjegon Kuqja.

Elton Kuqja.

Medikamentet për ankthin – të njohur si anksiolitikë – përfshijnë benzodiazepinat, beta-bllokuesit, antipsikotikët dhe antikonvulsantët.  Sipas një studimi në botë disa receta nuk bazohen në prova të forta dhe mund të kundërshtojnë udhëzimet. Studiuesit kanë vënë re një rritje të dukshme të recetave të benzodiazepinave tek të rinjtë, pavarësisht nga rreziku i varësisë.

Xhensila Lato

Xhensila Lato nga Qendra e shërbimeve psikologjike-ligjore “Family”, i tha Gazetasi.al gjithashtu se kohët e fundit janë shtuar rastet e moshave të reja të cilët kërkojnë ndihmë psikologjike për shkak të ankthit.
“Rritja e numrit të personave që kanë problematika me ankthin, vjen si pasojë e shumë ngjarjeve të kaluara vitet e fundit, përmendim këtu termetin, Covid-19, etj, që kanë sjellë ankth të shtuar edhe tek grupmoshat e reja”,shpjegon Lato.
Më tej psikologja tregon se krahas shërbimit psikologjik të ofruar është venë re rritje, edhe e rasteve të cilet kanë nevojën e trajtimit nga mjekët psikiatër të qendrës.

“Nuk do të përcaktoja një limit të moshës më të prekur nga problematika të ankthit në Shqipëri, por duke u bazuar tek rastet që ne trajtojmë do të thoja që grupmosha 20-30 vjeç, janë rastet me të shpeshta të paraqitura pranë Qendrës “Family”,shton Lato.
Duke lidhur situatën me punën e përditshme psikologja shprehet se janë rritur rastet e ankthit edhe të fëmijeve dhe adoleshenteve që marrin shërbim psikologjik.
“Duke ditur edhe që problematikat e shëndetit mendor, që lidhen me ankthin kanë qenë dhe vazhdojne të jenë ndër problemet më të zakonshme tek adoleshentet, trajtimi i tyre me se shumti realizohet me anë të terapisë.Por ka edhe shumë raste të cilat ndiqen edhe trajtim me medikamente”,shpjegon Lato.
Sipas Organizatës Botërore të Shëndetësisë (OBSh), 12 për qind e të rinjëve në botë kanë një çrregullim mendor serioz, por në vendin tonë mungojnë të dhënat e plota.


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë