Shendet

Shtohen sëmundjet seksualisht të transmetueshme, shkaku kryesor marrëdhëniet e pambrojtura

Sëmundjet seksualisht të transmetueshme në Shqipëri janë shtuar së fundi, ndërsa mjekët gjinekologë pohojnë se diçka e tillë lidhet kryesisht me kryerjen e marrëdhënieve seksuale të pambrojtura.

Bazuar në të dhënat e Survejancës Sindromike në vendin tonë të vendosur me mbështetjen e UNFPA-së raportohet një rritje e numrit të IST-ve që varion nga 12 – 40%.

Raportimet më të shumta te femrat

Survejanca përfshin raportimin e sindromave kryesore të lidhura me infeksionet seksualisht të transmetueshme dhe raportohet kryesisht për femrat. Ndërsa në lidhje me meshkujt, ka mangësi dhe nënraportim, pavarësisht se burimi i informacionit përfshin shërbimet e Obstetrik-Gjinekologjisë, Urologjisë, Infektivit dhe Dermatologjisë.

Cilat janë SST-të më të përhapura?

Sipas survejancës laboratorike konstatohet se shkaktari më i shpeshtë është Gardnerella Vaginalis (14.52% të rasteve) e ndjekur nga Ureaplasma Urealyticum (8.51% të rasteve), Trichomonas Vaginalis (4.15%), Herpes Simplex (1.07%) etj.

Gjithsesi, këto të dhëna nuk tregojnë qartë shkaktarët kryesorë, për shkak se kapacitetet diagnostikuese për Chlamydia Trachomatis dhe Neisseria Gonorrhea janë tepër të ulëta.

Studime të veçanta në femrat e moshës riprodhuese lidhur me këta shkaktarë të veçantë siç janë Chlamydia trachomatis kanë treguar një prevalencë prej 7.5%.

Ndërsa në studimin për Neisseria gonorrea dhe Chlamydia trachomatis te studentet femra, prevalenca ishte respektivisht 7.1% dhe 3.3%.

Rikthimi i sifilizit dhe rastet e shumta me hepatit

Pas njё periudhё tё gjatё tё zhdukjes sё sifilizit nё Shqipёri, ai u rishfaq në fillim të viteve ‘90. Pas këtij viti ngjan se numri i rasteve ka ardhur duke u rritur. Përsa i përket periudhës aktuale nuk ka të dhëna specifike dhe studime të veçanta, por sipas Dokumentit Strategjik

dhe planit të veprimit për shëndetin seksual dhe riprodhues për periudhën 2017-2021, në

vitin 2014 shifra arriti nё 124 raste ose e shprehur në formë incidence, ishte 3.04 për 100.000 banorë.

“Kjo shifër tregon një rritje dramatike të kësaj sëmundje po të krahasohet me incidencën 0.85 për 100.000 banorë në vitin 2010.”,- vërehet në raport.

Pёr sa i pёrket shpёrndarjes sё rasteve me sifiliz sipas gjinisё, 72% e tyre janё meshkuj dhe 28% janё femra. Transmetimi vertikal ose nga nёna e infektuar tek fёmija ёshtё shfaqur pёr herё tё parё nё vitin 2013, me dy rastet e para me sifiliz kongenital te dy bebe tё porsalindura nga nёna me sifiliz. Sipas grup-moshave, sifilizi haset në 2% të rasteve në grup- moshën 0-14 vjeç, në 9% të rasteve në grup-moshën 15-24 vjeç, në 68% të rasteve në grup-moshën 25-49 vjeç dhe në 14% të rasteve në moshën mbi 50 vjeç.

Hepatiti/Meshkujt e zonave urbane, më të prekurit

Sipas të dhënave nga Ministria e Shëndetësisë, Shqipëria mbetet ende një vend me prevalencë të ndërmjetme deri në të lartë të hepatitit viral B (HBV) në popullatën e përgjithshme, pavarësisht uljeve që kanë ndodhur vitet e fundit.

Kjo prevalencë llogaritet të jetë 7-9%, ndërsa prevalenca e hepatitit C (HCV) është në shifrat 1-1.5%.  Grup-mosha më e prekur rezulton të jetë ajo 25-44 vjeç për të dy tipat e Hepatitit, ndërkohë që konstatohet që po shkojnë drejt zeros rastet me hepatit në grup-moshën 0-18 vjeç, fakt ky që i detyrohet mbulesës së lartë vaksinale në vend ndaj HBV-së dhe programeve shtesë të vaksinimit për këtë grup-moshë.

Meshkujt janë më të prekur se femrat për të dy tipat e hepatiteve virale B dhe C. Kështu për periudhën 5 vjeçare, 2010-2014 vërehet se ka pasur një raportim të 676 rasteve me HBV nga të cilat 231 (34.2%) janë femra dhe 445 (65.8%) janë meshkuj dhe për HCV-në janë raportuar 203 raste nga të cilat 128 (63%) janë meshkuj dhe 75 ose 37 % janë femra.

Rrethet me incidencën më të lartë janë Berati, Durrësi, Shkodra,Tirana,Vlora, rrethe këto që kanë edhe popullsinë më të madhe. Pjesa më e madhe e rasteve jetojnë në zonat urbane krahasuar me ato rurale.

Grupet më të rrezikuara janë personat që kanë kontakt me personat e prekur me këto sëmundje, personeli shëndetësor, personat që marrin transfuzione të shumta të gjakut, përdoruesit e drogave, MSM, gratë shtatzënë, popullata rome etj. Blerina Goce


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë