Shendet

Shtohen rastet e variantit të Covid, JN.1. Zbulohen dy simptoma të reja

Një variant i ri i Covid-it është bërë forma dominuese e virusit në mbarë botën dhe tashmë raportohet se ka krijuar edhe dy simptoma të reja që njerëzit nuk i kanë raportuar më parë.

Qendrat për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjeve paralajmëruan më parë se lloji JN.1 i virusit po bëhet mbizotërues në Britani, Amerikë, Islandë, Portugali dhe Spanjë. Ekspertët thonë se po përhapet me shpejtësi edhe nëpër Francë, Kinë dhe Indi, ndërkohë që ende po kërkohet për më shumë informacione rreth JN.1, me frikën se ky variant mund të bëhet një problem shëndetësor.

Në të dhënat më të fundit nga Zyra për Statistikat Kombëtare në Britani, thuhet se pacientët e infektuar kanë përjetuar edhe dy simptoma të reja, përveç rrufës, dhimbjes së kokës apo debulesës.

Simptomat e reja janë probleme me gjumin dhe ankthi. Ekspertët thonë se kanë parë pacientë që raportojnë më shumë për këto simptoma, sesa simptomat e mëparshme të Covid-19.

“Tashmë ka më pak njerëz që raportojnë mungesë të shijes dhe aromës. Ka disa të dhëna që sugjerojnë se JN.1 mund të jetë më i transmetueshëm se variantet e mëparshme. Meqenëse JN.1 është një derivat i BA.2.86, ekziston shqetësimi se mund të jetë më i transmetueshëm”, thotë Thomas Russo, shef i sëmundjeve infektive në Universitetin në Buffalo në Nju Jork.

Lista e plotë e simptomave të raportuara

Rrjedhje nga hunda

Kollë

Dhimbje koke

Dobësi apo lodhje

Dhimbje muskulore

Dhimbje të fytit

Probleme me gjumin

Shqetësim apo ankth.

Më 19 dhjetor, Organizata Botërore e Shëndetësisë e kategorizoi variantin JN.1 si variant me interes.

“Më parë, JN.1 u gjurmua si pjesë e BA.2.86, prejardhja mëmë që klasifikohet si një variant interesi. Megjithatë, në javët e fundit, JN.1 vazhdon të raportohet në shumë vende dhe prevalenca e tij është rritur me shpejtësi globalisht dhe tani është bërë një variant dominant. Për shkak të përhapjes së tij në rritje të shpejtë, OBSH po e klasifikon JN.1 si një variant të veçantë interesi”, shkroi OBSH.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë