Treg

Shteti nuk i dëgjon, protestuesit u drejtohen policëve: S’kemi çfarë t’u shpiem fëmijëve

DPSHTR kërkesë qeverisë për një pagë minimale shtesë për të gjithë sektorin

Protestuesi: Mos më prek me dorë!

Polici: Jam polic dhe po të urdhëroj të largohesh sepse nuk lejohet, përbën vepër.

Protestuesi: Mos më prek se po protestoj për të drejtat e mia. E ke marrë rrogën ti si polic? Mua më vejn turp të shkoj në shtëpi se nuk kam çfarë iu çoj fëmijëve.

Ky është dialogu i tensionuar mes një protestuesi nga radhët e transportit publik dhe një polici që përpiqej të shpërndajë protestën e paralajmëruar të punonjësve të transportit publik.

Kriza në këtë sektor, që është i fundit nga aktivitetet ekonomike që nuk është hapur ende, është kthyer në një plagë sociale për më shumë se 10 mijë vetë që punojnë në këtë sektor .

Qindra gra e burra; shoferë, fatorino, dispeçer, sanitarë, etj të pa organizuar nga ndonjë shoqatë, ashtu siç kishin paralajmëruar me pankarta në duar u mblodhën përpara Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjetikës, megjithë rastet e shtuara të infektimeve me Covid-19 në vend dhe urdhrit të kryeministrit Edi Rama që nuk do të lejohet më asnjë tubim, qoftë edhe politik.

Punonjësit i kanë bërë thirrje qeverisë që të urdhërojë çeljen e aktivitetit të transportit ose të paguhen, por jo me pagë lufte, por t’i paguhen uji, dritat, qiratë dhe kreditë.

“Duam vetëm punë, po nuk u hap të na paguajë. Kemi qira, drita, ujë, kredi. Qeveria nuk na i plotëson. Kemi shumë humbje. Vetëm punë duam. Asgjë tjetër.”- tha një protestues.

Kurse një tjetër u shpreh se “40 mijë lekë për gati 4 muaj pa punë janë qesharake për ne. Ne shoferët e fatorinot jemi rrogëtarë, nuk kemi rezerva. Po ushqehemi me borxh”.

“Edhe nëse do përplasemi me policinë sërish do të dalim. Na ka shkuar thika në fyt. Në këtë lloj gjendje nuk mund ta përballojmë. Do të vazhdojmë protestën çdo ditë. Transporti publik dihet se është rrezik, por rrezik janë edhe fasonet. Janë mbi 10 mijë punëtorë që kanë mbetur pa punë. Po vazhdojnë të tallen me në”- u shpreh një tjetër protestues.

Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Ardi Veliu ka urdhëruar sot (mërkurë) gjithë strukturat policore që mos lejojnë kategorikisht asnjë tubim apo grumbullim ndryshe do ketë masa.

Teksa përpara Ministrisë, në dijeni të protestës ka patur prezencë policie për shkak të situatës Covid-19 për të monitoruar tubimin. Policia u ka kërkuar protestuesve të largohen. Pas thirrjeve nga autoritetet punonjësit janë larguar drejt Ministrisë së Financave.

Ata kanë vijuar thirrjet për punë, bukë dhe pagë shtesë për muajin maj.

“Kështu është e pamundur të vazhdohet. Nëse kërkesat tona nuk plotësohen do të futemi në grevë. Të pranohet heqja e akcizës së naftës për transportin. Të bëhet një paketë e dytë për transportin. Duhet të pranohen kërkesat tona. Ka shumë persona që mbajnë familjen me këtë rrogë”, u shprehën ata.

Një dispeçer thotë se situata është emergjente në sektor, por se si do të vijojë situata ai thotë se nuk e ka në dorë. “Nuk vendos unë. Nëse nuk del firma në punë, unë nuk kam gjë në dorë. Unë dua të na plotësohen kërkesat dhe të nisë puna”.

Ata kërkojnë që një përfaqësues i Ministrisë së Financave të dalë të japë sqarime.

“Si i ka bërë llogaritë ministri Ahmetaj? 6 veta, me 40 mijë lekë në 4 muaj. Dritat i kemi paguar sepse vjen elektriçisti. Çfarë na mbetën të hamë? Duam paret tona. Do të rrimë deri sa të dalë dikush dhe të na japin një sqarim. Duhet të na japin afate. Kërkojmë ndihmë të përballojmë jetesën. Institucionet nuk pyesin për ne. Do vazhdojmë të rrijmë këtu. Nuk ka pasur asnjë komunikim nga ata me ne. Na vjen turp të shkojmë në shtëpi, nuk kemi çfarë të çojmë. Ne e dimë që nuk lejohen tubimet, por jemi paqësorë dhe nuk kemi mënyrë tjetër të kërkojmë bukën. Ka vajtur në atë pikë sa edhe burgun edhe jetën të rrezikojmë për bukën e familjes. Si e menaxhojnë familjen ministrat me 6-7 pjesëtarë me 40 mijë lekë në 4 muaj.  Kryeministri është Zot shtëpie, fëmijët e vetë i ka hedhur në rrugë”- thotë dikush tjetër.

Disa syresh thonë se sapo kanë marrë bonusin prej 40 mijë lekësh, kanë  paguar drita e ujë. “Dhe tani me se do hamë?”- pyesin duke marrë shembull. “Vendet e tjera kanë paguar çdo muaj për secilin person në familje 500 euro. E dimë që nuk jemi si bota, por kur qeveria merr hua dhe grante, për kë i merr? Sektorin tonë e ka lënë pa bukë. Po presim. Të dalin të na sqarojnë”.

Ndërsa policia u bën thirrje protestuesëve vazhdimisht me megafon  të largohen sepse në kohë pandemie përbën vepër penale.

Ka kundërshtime, tek tuk tensionohet situata, por protestuesit nuk kanë për qëllim të përballen me policinë, ata duan thjesht tu shpien fëmijëve bukë në shtëpi dhe të shlyejnë detyrimet e shtetit, një shtet që ua ka vlerësuar jetesën 10 mijë lekë në muaj për katër muaj dhe i ka ndaluar të punojnë.

Ata janë koshientë për situatën Covid-19, kundërshtimet ndaj policisë janë të zbehta.

Fundja policët po punojnë sepse edhe ata do tu shpien bukë fëmijëve të tyre në shtëpi.

Një ekuacion me shumë të panjohura për ta, por që zgjidhjen e dinë fare mirë kush e ka në dorë.

Teksa shiu përplaset fort në asfalt dhe duart pa doreza të policëve shtyjnë shpatullat e rëna të punonjësve që protestojnë herë me zë e herë të mekur, i drejtojnë në bulevard për tu shpërndarë.

Ata që nuk kanë bukë literalisht e dinë mirë se çfarë do të thotë, janë empatikë.

Dhe në fund zgjedhin të shpërndahen, jo se nuk dinë si të rezistojnë.

DPSHTR kërkesë Ministrisë së Infrastrukturës për pagë minimale

Kujtim Mema, kreu i shoqatës kombëtare të Transportit Ndërqytetas, i cili nuk ka dalë asnjëherë në protestë, por ka zgedhur rrugën e negocimeve, zbulon për gazetën “Si” se ka një dokument nga Drejtoria e Përgjithshme e Transportit Rrugor me drejtor Blendi Gonxhen që ky i fundit i ka kërkuar Ministrisë së Infrastrukturës një pagë shtesë për majin 26 mijë lekë për të gjithë punonjësit e sektorit.

“Ne duam të nisim punë menjëherë. Sektori është në krizë dhe punonjësit janë për bukën e gojës. Jemi ende në negociata për TVSH-në e biletës dhe heqjen e akcizës së naftës, kurse kemi dokumentin që na bën të shpresojmë se do të marrim pagën 26 mijë lekë për muajin maj”- thotë Mema për gazetën “Si”.

Ai shpreson që të hënën do të rinisë transporti publik.

Copyright © Gazeta “Si”

Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë