Politike

‘Shteti Bektashi’ / Nga juristë e deri tek Komuniteti Mysliman dolën kundër, por Rama këmbëngul: Padija ekstreme e kritikëve më bind ta realizojmë. Do votojmë një proces konform Kushtetutës

Kryeministri Edi Rama reagoi të mërkurën në mëngjes lidhur me kritikat ndaj nismës se tij për krijimin e shtetit sovran bektashi, kritika këto që erdhën jo vetëm nga juristë, konstitucionalistë, ekspertë të sè drejtës ndërkombëtare, përfaqësues të bektashinjve jashtë Shqipërisë, por së fundmi edhe nga komuniteti mysliman përmes një deklarate zyrtare.

"Jam mësuar të lexoj e dëgjoj çudira pas çdo ideje të re apo projekti ndryshimi që kam shprehur apo paraqitur në tërë këto vite, po këtë herë çuditë e thëna a të shkruara fill pas shprehjes së idesë të krijimit të një entiteti sovran të Urdhrit Bektashi, brenda perimetrit të pronës së Kryegjyshatës Botërore në Tiranë, kanë kaluar kufijtë e të gjitha fantazive dhe ligësive të pritshme.

E vetmja gjë që nuk kam dëgjuar të thuhet nga kundërshtarët e zjarrtë të kësaj ideje është qoftë edhe një fjali me kuptim, mbi historinë dhe rolin e bektashinjve në fatet e kombit e të shtetit tonë, se mirë për sfidat e mbijetesës së Urdhrit Bektashi sot e gjithë ditën duket që as nuk do t’ia dijë askush nga ata që çfarë s’po nxjerrin prej goje!

Padija e skëterrshme dhe shkujdesja brutale në trajtimin e një çështjeje me kaq vlerë, ma përforcojnë bindjen se kësaj ideje i ka ardhur koha të vihet në jetë dhe se nevoja e këtij hapi është jo vetëm në harmoni të plotë me interesin tonë kombëtar, po edhe në shërbim të domosdoshmërisë së investimit tonë të vazhdueshëm për ruajtjen e për pasurimin e thesarit të paçmueshëm të tolerancës e të harmonisë fetare, ku bektashizmi ka meritën dhe rolin e vet të pazëvendësueshëm krahas tre besimeve të tjera", shkruan Rama nga Nju Jorku, ku ndodhet për punimet e Asamblesë së Përgjithshme të OKB.

Ai e pranon se nga ideja tek jetësimi i saj ka një kohë të tërë për t’u kthjelluar çdo gjë dhe një proces të tërë publik e legjislativ për t’u zhvilluar, kështu që nuk ka asnjë ngut e asnjë nevojë për polemika të kota.

"Në ndërkohë ftesa ime për kundërshtarët e kaqshumëngutur të idesë është që të njihen me faktet dhe kontributet historike të Urdhrit Bektashi në punët e kombit e të fesë në Shqipëri, duke shpresuar se mbase kjo njohje do t’i ndihmojë për të parë të paktën diçka sa të thjeshtë aq edhe kuptimplotë.

Ndryshe nga komunitetet e tjera, të cilat kanë avantazhin e natyrshëm të përkatësisë në komunitete shumë të mëdha me shtrirje globale - pra kanë edhe mundësi të mëdha mbështetjeje të pandërprerë në rrugën e tyre - komuniteti bektashi është si të thuash “jetim” në këtë këndvështrim. Prandaj afërmendsh që ngritja e statusit të Kryegjyshatës Botërore në Shqipëri në nivelin e një entiteti sovran, jo vetëm do të ulte ndjeshëm kërcënimin real të tkurrjes së atij komuniteti deri në tretje në harkun e disa dekadave, po do të garantonte një vazhdimësi të qëndrueshme  të ekzistencës së tij për breza të tërë.

Të adresosh sot këtë çështje do të thotë të mbrosh një vlerë të jashtëzakonshme të trashëgimisë historike dhe kulturore të kombit shqiptar, pa llogaritur edhe të tjera të mira të mëdha që do t’i sjellë Shqipërisë e shqiptarisë krijimi i një entiteti të tillë sovran në botën e trazuar ku jetojmë. Po për t’i folur urtësisht e qetësisht këto e kemi të gjithë kohën e nevojshme përpara", shkruan Rama në platformën X.

Më vonë gjatë ditës, Rama ka folur sërish për këtë çështje. Rama tha se këto ditë ka dëgjuar çudira të jashtëzakonshme, ndërsa tha shpjegimet e tij se pse ka propozuar që të krijohet një etnitet sovran. Rama tha se ndryshe nga tre komunitetet e tjera, bektashinjtë janë si jetim në Shqipëri dhe shtoi se ajo çfarë përfaqësojnë janë pasur kombëtare që duhet ruajtur.

Ndër të tjera ai u pyet nëse për këtë ide do të mbahet me referendum, do të votojë Parlamenti, apo do të këshillohet paraprakisht me Akademinë e Shkencave dhe Arteve?

“Shqipëria ka një Kushtetutë dhe ti e di shumë mirë dhe në bazë të Kushtetutës dhe mbi bazën e ligjeve ndërkombëtare ne do të votojmë një proces që do të jetë konform Kushtetutës dhe konform ligjeve ndërkombëtare, pa asnjë diskutim, sepse kjo nuk është një gjë që e thashë unë dhe u bë. Kjo ka një proces, do të diskutohen gjërat, do të shihen të gjitha aspektet legjislative dhe pastaj në fund, unë besoj që do të triumfojë arsyeja. Në këtë gjë po ju them ka vetëm të mira, çdo gjë mund të ketë ato të vetat, por në këtë gjë unë nuk shoh asnjë gjë që mund të thuash “jo po se kjo”. Asnjë, zero, që të mos flas për të mirat e tjera që sjell për Shqipërinë e për shumë e shumë gjëra nga pikëpamja e vizibilitetit, nga pikëpamja e interesit, atraksionit etj. Le të mos flasim për këto.

Po flas vetëm për interesin tonë kombëtar dhe për trashëgiminë tonë historike, kulturore kombëtare. Kështu e shoh unë”, tha ai


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë