Gazeta Si – Ata që e bëjnë vetë e bëjnë këtë për tre: doktrina e re e mbrojtjes së përbashkët midis tre shteteve baltike kundër rrezikut rus bazohet në parimin e marrjes së rrezikut pa delegim te të tjerët dhe të veprimit të drejtpërdrejtë. “Sot vendosëm të nënshkruajmë marrëveshjen për krijimin e një zone mbrojtëse baltike në kufijtë me Rusinë dhe Bjellorusinë”, deklaroi dje pas dy ditësh bisedimesh në Riga, ministri letonez i Mbrojtjes, Andris Spruds së bashku me kolegun e tij estonez, Hanno Pevkur dhe atij të Lituanisë, Arvydas Anusauskas.
Një marrëveshje, e cila megjithatë mbështetet në ndihmën solide të ofruar nga kontingjentet e NATO-s të pranishme në të gjithë rajonin, por mbi të gjitha synon t’i sinjalizojë botës vendosmërinë për të rezistuar në çdo rast kundër synimeve perandorake të regjimit të Putinit.
Pakti në thelb përfshin krijimin e një sërë masash parandaluese të përbërë nga fortifikime afër kufijve, vendqëndrime ndaj raketave “Himars”, llogore, bunkerë të thellë për rezerva, pengesa antitank dhe në disa raste fusha të minuara (edhe nëse këto me kufizime të forta për të mos u prekur popullatat), që synon të ndalojë çdo përpjekje pushtimi në vijat e frontit.
“Zbulimet e fundit nga shtypi gjerman në lidhje me mundësinë e një sulmi rus kundër territoreve tona deri në vitin 2025, i referohen vetëm ushtrimeve teorike”, ka dashur të saktësojë ministri lituanez, dukshëm i mërzitur nga titujt e botuar në shtypin ndërkombëtar.
Megjithatë, asnjë nga të tre nuk u përpoq të minimizonte kërcënimin. “Diktatura e Putinit mbetet një rrezik shumë serioz: kështu ka qenë në të kaluarën, kështu mbetet edhe në të tashmen dhe do të jetë kështu edhe në të ardhmen. Kjo është arsyeja pse ne nuk mund të kapemi të papërgatitur”, thanë ata.
“Siç u kujtua edhe në samitin e fundit të NATO-s në Madrid, vendet tona nuk kanë thellësi strategjike, çdo metër tokë vlen. Armiqtë duhet të ndalen menjëherë në kufij”, kujtoi përfaqësuesi letonez.
Takimet e tyre trepalëshe tani janë bërë një zakon dy herë në vit për të çimentuar një qëllim të përbashkët të bazuar në kërcënime të përbashkëta.
Sipas tyre, janë tre leksione gati dy vjet pas fillimit të pushtimit rus të Ukrainës. “Së pari: mbetet thelbësore për ne që të vazhdojmë të ndihmojmë ushtrinë ukrainase. Së dyti: forcimi i mbrojtjes së zonës së Balltikut. Së treti: dy dekada pas hyrjes sonë në NATO, ne duhet të thellojmë harmoninë dhe bashkëpunimin mes forcave tona të armatosura”, shpjegoi Spruds.
Nevoja për të rritur aftësitë raketore, për të rritur numrin dhe cilësinë e armëve dron, si dhe për të organizuar rezerva masive të municioneve të të gjitha kalibrave, diktohet nga zbulimet e vazhdueshme të inteligjencës se rusët kanë përmirësuar në masë të madhe prodhimin e tyre të luftës.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




