Zyra e delegacionit të Bashkimit Evropian në Tiranë, në një reagim për mediat shqiptare lidhur me idenë e fundit të propozuar nga kryeministri Edi Rama për krijimin e një shteti sovran të Urdhrit Bektashi, thekson se nuk ka kompetencë për të rregulluar çështjet fetare.
“Nuk kemi komente në këtë fazë. Liria e mendimit, ndërgjegjes dhe fesë është e sanksionuar në nenin 10 të Kartës së BE-së për të drejtat themelore. Në përgjithësi, BE-ja mbështet tolerancën dhe dialogun ndërfetar. BE-ja nuk ka kompetencë për të rregulluar çështjet fetare”, thuhet ne reagim.
Shteti Bektashi diskutohet te shtrihet në territoret ekzistuese të Selisë Botërore, në një sipërfaqe disa hektarëshe, në një zonë periferike të Tiranës. Që prej vitit 1929, selia botërore e betashinjve u zhvendos nga Turqia, në kryeqytetin shqiptar. Mbetet e paqartë rruga ligjore që do të duhet të ndiqet për njohjen e sovrantitetit të tij. Kushtetuta shqiptare parashikon në Nenin 1 të saj se “Republika e Shqipërisë është shtet unitar dhe i pandashëm”. Një ndërhyrje për ndryshimin e saj do të kërkonte një shumicë prej dy të tretave të parlamentit, ose 94 vota
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.