Nga Gazeta ‘SI’ – Ministri i ri i Financave ka prezantuar para komisioneve ndërparlamentare, ndryshimet e reja në buxhetin e vitit 2024.
Gjatë fjalës së tij, ministri Petrit Malaj tha se ndryshimet në buxhet lidhen me nevojën për të shtyrë përpara investime të rëndësishme infrastrukturore si edhe për të financuar më tej nevojat e fermerëve.
Malaj shtoi se në shtesën e re të buxhetit prej 27 mld lekësh, parashikohen dhe financimin e shoqërisë së armëve “Kayo” 440 mln lekë, borxhet e ujësjellësve 2 mld lekë, shpërblimet e sportistëve 300 mln lekë dhe një shtesë 2 mld lekë për fondin e Rindërtimit.
Ishte deputetja Jorida Tabaku që nisi me kritikat ndaj ministrisë së Financës duke ngritur shqetësimin se fondet për Rindërtimin vazhdojnë të përdoren si mjet elektoral, pasi shtesat për këtë projekt miratohen gjithmonë në prag të zgjedhjeve.
Tabaku shtoi se të ardhurat e rritura në arkën e shtetit nuk janë atribut i ndonjë reforme nga ministria por kanë ardhur nga rritja e pagës në shtet dhe rritja e çmimeve, TVSH.
Fjalën më pas e mori socialisti Erion Braçe, i cili pyeti ministrin Malaj për efektin që ka pasur kursi i këmbimit në borxhin publik të Shqipërisë, duke përmendur teorinë e përfolur se kursi i euros është mbajtur qëllimisht i ulët nga ana e qeverisë. Ai tha se qeveria nuk është treguar transparente me listën e shpenzimeve pasi nuk ka informacion për pjesën e kaluar të vitit.
“Unë nuk e kuptoj që ne marrim punëtorë të huaj dhe deklarojmë se s’kemi punëtorë dhe raportojmë se kemi papunësi dyshifrore. A është bërë ndonjë analizë për këtë gjë? Për nevojat që ka tregu i punës? është anomali që kërkon veprim. Ju thatë që në tremujorin e parë, Investimet e huaja janë rritur me 15%, mund të na thoni se ku janë drejtuar këto investime”, pyeti deputeti i PS-së.
Në përgjigjen e tij, ministri Malaj tha se kursi i këmbimit ka favorizuar borxhin e shtetit, por ka penalizuar të ardhurat nga doganat.
“Të ardhura të munguara 11.2 mld lekësh nga Doganat, prej kursit të këmbimit. Kursi është i lirë dhe qeveria nuk ka si të ndërhyjë pasi edhe e dëmton. Në rastin e borxhit efekti është 5.4 pikë përqindje në 15% që ka rënë borxhi, në raport me PBB-në. Në lidhje me Investimet e huaja, janë 47 mln euro dhe dominohet nga Turqia, Italia dhe Austria, lidhen kryesisht me energjinë e rinovueshme dhe turizmin”, tha Malaj duke theksuar se sigurisht tregu i punës në vend ka nevojë për një analizë të thelluar që përcakton dhe tipologjinë e personave që janë deklaruar si të papunë.
Për deputetin e PD-së, Gazment Bardhi, ministri i ri vetëm firmosi urdhrat e eprorëve të tij, pasi për rrugët e reja që alokohen miliona euro nuk ka as analiza e as studime fizibiliteti.
“3-4 muaj pasi ishin miratuar vlerat paraprake të projekteve rreth 260 milionë euro vetëm për tre projekte, pra bëhet fjalë për projektin e zgjerimit të autostradës Tiranë Durrës, by pass i Elbasanit dhe rrugës Tiranë-Ndroq-Plepa. Pa bërë asnjë studim fizibiliteti, pa bërë asnjë analizë sepse analiza ishte bërë dhe vlera e projekteve ishte miratuar dhe unë nuk di të ketë ndonjë zhvillim kaq të madhe të rritjes së çmimeve, fjala vjen një projekt që ishte parashikuar me 205 mln euro të shkojë 298.8 mln euro, apo një projekt që e kishte vlerën 39.8 mln euro ju ta çoni në 87 milionë euro, apo siç është rasti i By Pass të Elbasanit që ishte parashikuar të kushtonte 120 mln euro është rritur në 240 mln euro. Pyetja ime është çfarë ju nxiti ju që pasi hytë në atë zyrë të rishikonit dyfishim të vlerave të këtyre projekteve?”, tha Bardhi.
Ministri Malaj tha se rritja e shumës për këto projekte lidhet me kursin e këmbimit.
“Për projektet e përmendura nga ju janë projekte për të cilat kanë ardhur analizat nga ministria e linjës, në rastin konkret nga ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë për Rishikimin e Vlerave. Po ju marr rastin e projektit Tiranë Durrës që daton që në 2010. Pra vlerat kanë qenë të 2010 dhe kanë nevojë për të reflektuar si kostot e ndërtimit edhe efektet e kursit të këmbimit. Pra ka një analizë të detajuar sepse kanë ndryshuar çmimet”, tha ministri.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.