Teknologji dhe Inovacion

Shtëpia e Bardhë u lë 30 ditë afat agjencive qeveritare për të fshirë TikTok

Shtëpia e Bardhë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës u ka lënë afat 30 ditë agjencive qeveritare amerikane që të heqin nga celularët aplikacionin kinez të TikTok.

Reuters raporton se memorandumi i Shtëpisë së Bardhë u është dërguar të hënën agjencive qeveritare. Kjo bëhet për të garantuar sigurinë kibernetike të të dhënave të SHBA-së, pas dyshimeve se TikTok përdoret nga qeveria kineze për të grumbulluar informacionet personale të përdoruesve dhe për të spiunuar. Por kompania i mohon këto pretendime.

Me urdhrin e nxjerrë nga Shtëpia e Bardhë, të gjithë punonjësve të agjencive federale amerikane u lihet 30 ditë kohë që të fshijnë nga pajisjet TikTok-un.

Shumë agjenci qeveritare, përfshirë Shtëpinë e Bardhë, Departamentin e Mbrojtjes, Departamentin e Sigurisë Kombëtare dhe Departamentin e Shtetit e kanë ndaluar prej kohësh përdorimin e TikTok nga pajisjet qeveritare.

Të martën, Komiteti i Punëve të Jashtme të Dhomës së Përfaqësuesve do të votojë një projekt-ligj që do t’i jepte Presidentit Joe Biden autoritetin për të ndaluar TikTok nga të gjitha pajisjet e SHBA-së.

Një vendim të ngjashëm për punonjësit në zyrat shtetërore e ka ndërmarrë edhe Kanadaja.

Një javë më parë, edhe Bashkimi Europian nxori urdhër se aplikacioni TikTok nuk duhet të përdoret në zyrat e tyre ndërkohë që një urdhër i tillë pritet të jepet edhe në Itali.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë