Gazeta Si – Një shtëpi bari është zbuluar në fshatin Trush të Bushatit në Shkodër. Gjatë operacionit të koduar “Trushi”, policia arrestoi në flagrancë 3 persona si të dyshuar për kultivimin e bimëve narkotike, si dhe procedoi në gjendje të lirë 3 persona të tjerë.
Bimët narkotike kanabisi sativa ishin kultivuar në vazo në një banesë të pabanuar, në hyrje dhe në 4 dhomat e saj.
Drejtori i Policisë së Shkodrës, Edmond Sulaj, në një konferencë për shtyp, bëri të ditur se në banesë ishte instaluar një sistem i përparuar elektrik dhe i kondicionimit që shërbenin për kultivimin e kanabisit në vazo me anë të llambave.

Të arrestuarit janë Lorenc Trieshi 34 vjeç nga Fushë-Kuqja e Kurbinit, i cili u kap në flagrancë brenda banesës, si dhe babë e bir Dedë Laca 64 vjeç dhe Anton Laca 37 vjeç.
Ndërsa janë proceduar penalisht në gjendje të lirë kryeplaku i fshatit Trush i Poshtëm, lexuesi i matësit elektrik dhe elektriçisti i zonës.
Në banesën që shërbente si ‘shtëpi bari’ kishte lidhje të paligjshme të energjisë. Policia sekuestroi 82 llamba, 5 aspiratorë, 123 bimë narkotike për ekspertizë, 2 mjete lundruse jetski, 1 kallashnikov dhe 2 karikatorë me fishekë, 1 armë gjahu dhe 2 makina Range Rover dhe Mercedes-Benz.
Në Qarkun e Shkodrës, gjatë këtij viti janë asgjësuar 158,621 bimë narkotike të kultivuara në tokë dhe 41,883 fidanë të kultivuar në kubikë, raste për të cilat janë arrestuar dhe proceduar penalisht 74 persona.
Ministri i Brendshëm, Taulant Balla ka përshëndetur dy operacionet e fundit policore në Lezhë e Shkodër, kundër kultivimit e trafikimit të narkotikëve.
Përmes një postimi në rrjetet sociale, ministri Balla thekson se operacionet jo vetëm i japin goditje krimit, por edhe rikthejnë besimin qytetar tek strukturat e rendit.
“Përgëzime Policisë së Shtetit për operacionet anti-drogë në Lezhë dhe Shkodër ku u sekuestruan sasi të mëdha kanabis dhe një numër armësh zjarri. Lufta jonë kundër kultivimit dhe shpërndarjes së lëndëve narkotike, po merr çdo ditë mbështetje edhe më të madhe nga publiku dhe po rikthen besimin tek Policia”, shkruan Balla në rrjetet sociale.
Në 48 orët e fundit, janë kapur sasi kanabisi e armë, ndërsa në pranga janë vënë disa autorë të dyshuar. Gjithashtu një vëmendje të veçantë Policia po i kushton zbatimit të masave të Paketës për Sigurinë në Shkolla dhe vijimit të megaoperacionit “Tempulli”, për parandalimin dhe goditjen e tentativave për shitje të lëndëve narkotike në afërsi të shkollave.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.



