Ka ndodhur

‘Shtëpi bari’ në një godinë publike në Vaun e Dejës, arrestohet elektricisti i zonës

Gazeta Si – Në një operacion antidrogë të koduar me emrin "Godina" në Vaun e Dejës, policia ka zbuluar qindra fidanë të dyshuar kanabis sativa.

Sipas policisë, brenda ambientit, i cili rezulton të jetë një pronë publike, u gjetën 578 fidanë të dyshuar si kanabis sativa në kubikë dhe në vazo, si dhe 103 llamba elektrike që shërbenin për realizmin e kësaj veprimtarie kriminale.

Policia thotë se ka arrestuar elektricistin e zonës dhe ka proceduar penalisht tre pjesëtarë të grupit të punës së OSHEE-së që mbulojnë  zonën.

Policia tha se kishte informacion se në fshatin Dush, në një godinë të braktisur  prej vitesh (pronë publike), mund të ishte përshtatur për kultivim të bimëve narkotike.

“Në vijim të veprimeve  u arrestua në flagrancë shtetasi F. M., 62 vjeç, banues në Laç, elektricisti i zonës,   dhe u proceduan  penalisht në gjendje të lirë shtetasit J. D., 41 vjeç, banues në Fushë- Arrëz, I. M., 32 vjeç, banues në Shkodër dhe A. B., 32 vjeç, banues në fshatin Hajmel, (grup i punës i OSHEE-së që mbulon zonën)  për veprat penale “Shpërdorim i detyrës”, "Kultivimi i bimëve narkotike" dhe “Vjedhja  e energjisë elektrike”, - njofton policia e Shkodrës.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë