Gazeta Si – Një ambient në të cilin kultivoheshin bimë narkotike është zbuluar në zonën e Selitës në Tiranë.
Bëhet fjalë për një ish-magazinë shtetërore ku brenda saj ishin instaluar llamba dhe pajisje të tjera për kultivimin e bimëve narkotike.
Sipas njoftimit, policia e Tiranës thotë se kjo magazinë ishte privatizuar nga tre persona, ndërsa janë shoqëruar disa shtetas.
Ndërkohë thuhet se shërbimet e Policisë gjetën të kultivuara në vazo plastike, 105 bimë të dyshuara narkotike Cannabis Sativa.
“Gjatë orëve të para të mëngjesit, shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr. 2 kanë ndërhyrë në ambientet e një magazine të vjetër dykatëshe, në rrugën “Hamdi Pepa”, Selitë, ku nga informacionet e siguruara nga inteligjenca policore, dyshohej se kultivoheshin bimë narkotike, me anë të llambave, – njofton policia. – Nga kontrollet, në katin e dytë të këtij objekti, i cili nga verifikimet rezulton i privatizuar nga shtetasit A. C., K. K. dhe V. S., shërbimet e Policisë gjetën të kultivuara në vazo plastike, 105 bimë të dyshuara narkotike Cannabis Sativa”.
Aktiviteti kriminal ushtrohej në katin e dytë të magazinës, ndërsa sipas burimeve paraprake, kati i parë i objektit është në përdorim të Agjencisë Shtetërore të Kadastrës.
Dyshohet se magazina përdorej prej një kohe të gjatë për kultivim drogën, ndërsa në hetime është përfshirë dhe Agjencia e Mbikëqyrjes Policore për të evidentuar nëse efektivët e Komisariatit nr.2 kanë qenë në dijeni të aktivitetit kriminal.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.