Kombetarja

Shqiptari i vetëm i Ishujve Faroe, Alesio Hyseni: Atje të merr era, Shqipëria shumë më lart

Fatjon Rupi – Shqipëria luan sot ndeshjen e radhës në Ishujt Faroe, për shumicën e shqiptarëve një vend i vogël pak a shumë misterioz në mes të detit. Për futbollin e këtij vendi pastaj ka akoma më pak informacion.

Por ka një shqiptar që e njeh shumë mirë këtë vend dhe futbollin e tij. Alesio Hyseni është shqiptari i vetëm që ka luajtur në Ishujt Faroe me Ki Klaksvik, ku ka fituar edhe Superkupën në ato muaj që qëndroi aty në vitin 2020, kur u huazua nga Partizani.

Alesio Hyseni kur ishte ne Ishujt Faroe. Gazeta Si, 20 qershor 2023

Vlonjati 26-vjeçar zbulon disa detaje për Gazeta Si për Ishujt Faroe si vend dhe futbollin e tij. “Klima është e keqe, ndoshta ajo që keni dëgjuar, që frym shumë erë. Në Torshvan edhe avionët e kanë të vështirë të bëjnë uljen pikërisht për shkak të erës. Është një vend i vogël me 50-60 mijë banorë, por i zhvilluar”, – tregon Hyseni.

Futbollisti që më parë kë qenë pjesë e Flamurtarit, Partizanit dhe Bylisit, aktualisht luan në Itali, ku edhe ka lindur. Më tej ai zbërthen për Gazeta Si se çfarë futbolli luhet në Ishujt Faroe: “Kur shkova në Ishujt Faroe mendoja se do të ishte një kampionat i dobët, i lehtë. Vija pas një dëmtimi dhe u huazova nga Partizani për të luajtur sa më shumë.

Nuk doli ashtu siç mendoja. Ishte për t’u habitur se si në një vend aq të vogël të kishte klube futbolli aq të zhvilluara. Janë 3-4 klube shumë të mira, me nivel të lartë profesionist dhe me insfrastrukturë shumë të mirë. Pastaj ka një disnivel me klubet e tjera, që janë goxha më të dobëta.

Ato klubet e mira që përmenda, Torshvan, Klaksvik etj., e kanë treguar veten edhe në eliminatoret e kompeticioneve europiane, ku janë paraqitur shumë mirë. Edhe Ballkani në Kosovë për shembull e pati shumë të vështirë vitin e kaluar me kundërshtarin nga Ishujt Faroe, që dominoi”.

Hyseni me fanellen e Flamurtarit. Gazeta Si, 20 qershor 2023

Çfarë kundërshtari e pret sot në mbrëmje Kombëtaren shqiptare? Hyseni shprehet: “Ata luajnë më tepër në mbrojtje, të tërhequr. Pak a shumë kanë një stil anglez loje, me topa të gjatë dhe me krose, nuk është se luajnë futboll teknik, me shumë pasime. Me sa di, aty janë disa lojtarë danezë që luajnë për Ishujt Faroe, pasi ky vend i përket Danimarkës.

Nuk ka diskutim që Shqipëria është shumë më lart si nivel futbolli, por nuk duhet të bëjë gabimin e nënvlerësimit, sepse mund ta pësojë. Ata janë vërtet profesionistë dhe japin gjithçka në fushë”.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë