Ngjarje

Shqiptari i jep fund jetës në anijen-hotel në Angli. Flet e motra: Rojet i trajtonin azilkërkuesit si kafshë!

Gazeta Si – Një 27-vjeçar shqiptar u vetëvra në Britani të Madhe rreth një javë më parë në rrethana misterioze në anijen kamp Bibby Stockholm, ku mbahen azilkërkuesit e regjistruar. Mediat britanike kanë zbuluar identitetin e shqiptarit, Leonard Farruku, 27 vjeç, nga Manza e Durrësit.

Sipas gazetës “The Telegraph”, i riu pagoi 4,000 euro për të kaluar kanalin e La Manshit me gomone, duke hyrë ilegalisht në Britani verën e kaluar.

Vetëvrasja u bë publike të mërkurën ndërsa mediat raportojnë se azilkërkuesi shqiptar ishte ankuar për gjendjen e tij mendore një ditë para se të vdiste. Dëshmitarët i thanë medias britanike se 27-vjeçari ishte dëgjuar duke bërtitur dhe përplasur në murin e kabinës ku mbahej. 

Motra e tij, Jola Dushku, 33 vjeçe, e cila jeton në Lombardi të Italisë, tha se ishte e tronditur nga lajmi, të cilin e morën vesh nga të afërmit në Mbretërinë e Bashkuar.

Ajo ka deklaruar se “do të gjejë qetësinë vetëm atëherë kur të mësojë të vërtetën se çfarë ndodhi atë natë me vëllanë në anijen hotel Bibby Stockholm”.

“Kur fola me të herën e fundit, ai më tha se po trajtoheshin nga rojet si kafshë”, – ka thënë motra e Farrukut.

Sipas saj, “ai erdhi në MB me ëndrrën për të gjetur punë më të mirë dhe, më e rëndësishmja, për të marrë leje të pacaktuar për të qëndruar në Mbretërinë e Bashkuar,” tha Dushku.

Për ngjarjen tragjike të vetëvrasjes së Leonard Farrukut një zënës i Home Office tha se:

“Ky ishte një incident tragjik dhe ngushëllimet tona shkojnë me të prekurit. Mirëqenia e personave nën kujdesin tonë ka një rëndësi parësore dhe ne marrim përgjegjësinë tepër seriozisht për këtë. Kjo ngjarje është duke u hetuar nga policia dhe mjekësia ligjore në analizimin e fakteve e rrethanave të kësaj vdekje”.

Anija-hotel u mor me qira nga qeveria angleze për të zbutur koston ditore prej 8 milion sterlinash të azilantëve të mbërritur gjatë dy viteve të fundit në Angli me gomone mes tyre 12.800 shqiptarë.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë