Ekonomi

Shqiptarët, të vetmit që vendosin ekonominë para mjedisit. Peshën e rreziqeve klimatike ia kalojnë qeverisë dhe biznesit

Nga Gazeta ‘SI’ - Ndërgjegjësimi në Shqipëri për ndryshimet klimatike është i lartë. 79% e të anketuarave nga Banka Botërore besojnë se efekti është real dhe 2/3 besojnë se është krijim i “njeriut”.

Një pjesë e madhe e tyre besojnë se ndryshimet e klimës do t’i ndikojnë seriozisht ata dhe fëmijët e tyre në të ardhme, 85 dhe 93% përkatësisht. Gjithsesi, kur shqiptarët pyeten nëse do të zgjidhnin midis ekonomisë apo natyrës, 49% e tyre zgjodhën ekonominë, 40% natyrën dhe 11% asnjërën.

Kjo qasje thotë BB nuk vërehet në vende të tjera, pasi qytetarët e tjerë cilësojnë mbrojtjen e mjedisit më të rëndësishme. 45% e të anketuarve thanë se do të kontribuonin financiarisht në investimet pro-mjedisit. Por askush nuk e vlerësoi këtë si prioritet për më shumë shpenzime qeveritare.
Ndërgjegjësimi për politikat e ndryshimeve klimatike është i ulët në mesin e drejtuesve publikë dhe të biznesit, përkatësisht 26% dhe 31%. Ndërsa 78% e individëve pajtohen se angazhimi për emetimet e karbonit zero është i rëndësishëm, vetëm më pak se gjysma e drejtuesve të biznesit pajtohen me deklaratën.

Në të njëjtën kohë, afërsisht 1/4 e individëve dhe drejtuesve të biznesit besojnë se Shqipëria është në rrugën e duhur për të arritur objektivat e emetimit të karbonit. Shumica e të anketuarve (92%) mendojnë se vendet me të ardhura të larta janë përgjegjëse për pagesën e kostos së investimeve klimatike, të ndjekura nga bizneset dhe industria (84%) dhe njerëzit me të ardhura të larta që jetojnë në Shqipëri (78%).
Në të njëjtën kohë, 67% e publikut beson se vendet me të ardhura të mesme kanë përgjegjësi për të financuar investimet për klimën dhe vetëm 43% e bëjnë këtë kur bëhet fjalë për klasën e mesme në Shqipëri. 57% e të anketuarve thonë se komuniteti ndërkombëtar bën mjaft për të përballuar ndryshimet klimatike. Megjithatë, vetëm 33 deri në 37% e të anketuarve raportojnë se qeveria e tyre, biznesi dhe sektori privat dhe komuniteti i tyre lokal bëjnë mjaftueshëm për të adresuar ndryshimet klimatike.
Për më tepër, 40% e të anketuarve pranuan se nuk po bëjnë mjaftueshëm për të trajtuar ndryshimet klimatike. Pothuajse gjysma e të anketuarve mendojnë se rregulloret e qeverisë dhe projektet e investimeve publike janë mënyrat më të rëndësishme për të adresuar ndryshimet klimatike. Përkundrazi, projektet e investimeve private shikohen si zgjidhje vetëm nga 4% e publikut.
1/5 e të anketuarve mendojnë se përmirësimet teknologjike do të jenë faktori kryesor prapa shmangies së ndryshimeve klimatike. Vetëm 2% e drejtuesve të biznesit dhe 7% e individëve besonin se taksat hipotetike shtesë, të mbledhura dhe të administruara nga qeveria e tyre për të luftuar ndryshimet klimatike, do të shpenzoheshin tërësisht për ndryshimet klimatike. 3/4 e të anketuarve mendojnë se më pak se gjysma ose asnjë pjesë e fondeve nuk do të shpenzohen për ndryshimet klimatike.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë