Para

Shqiptarët shpenzuan 210 miliardë lekë online, gjatë janarit

Nga Gazeta ‘SI’ – Shqiptarët shpenzuan rreth 210 miliardë lekë përmes transaksioneve online gjatë muajit të parë të vitit 2026.

Sipas të dhënave të publikuara nga Banka e Shqipërisë, gjatë janarit qytetarët kryen rreth 950 mijë pagesa dhe transferta përmes internetit, të njohura ndryshe si shërbime “homebanking”. Krahasuar me fundin e vitit 2025, shifrat tregojnë një tkurrje të lehtë të përdorimit të këtij shërbimi. Megjithatë, në raportin vjetor rezulton se shpenzimet online janë rritur me rreth 5 përqind.

Sipas Anketës së Përdorimit të Teknologjisë së Informacionit, të publikuar në dhjetor 2025, përdorimi i internetit për tregti vazhdon të rritet. Më shumë se 45 përqind e shqiptarëve kanë kryer të paktën një blerje online gjatë 12 muajve të fundit, një rritje me tre pikë përqindje krahasuar me vitin e mëparshëm.

Produktet më të blera online mbeten rrobat dhe shërbimet e dërgesës së ushqimit, të cilat dominojnë tregun me përkatësisht 97 dhe 61 përqind të preferencave.

Përveç blerjeve, edhe aktivitete të tjera në internet kanë shënuar rritje të ndjeshme. Kërkimi i informacionit për mallra dhe shërbime është rritur me 10.7 pikë përqindje, përdorimi i shërbimeve e-banking me 7.7 pikë përqindje, ndërsa rrjetet sociale me 5.7 pikë përqindje. Të dhënat tregojnë një varësi gjithnjë e më të madhe të qytetarëve nga shërbimet digjitale.


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë