Nga Gazeta ‘SI’ – Gjatë tremujorit të dytë të vitit 2023, shqiptarët përdorën më pak celularin. Përveç uljes së numrit të thirrjeve apo mesazheve, edhe përdorimi i internetit u ul.
Sipas të dhënave nga Autoriteti i Komunikimeve Elektronike dhe Postare (AKEP), thirrjet dalëse ranë me 14.6%, mesazhet e shkruara me 20.7% dhe interneti me 2%, të krahasuara në raport vjetor.
Sipas llogarive të AKEP, çdo përdorues foli mesatarisht 135 minuta në muaj, 20% me pak se një vit më parë. Numri i mesazheve të shkruara zbriti në 13 për përdorues në muaj, 24.8% më pak krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë.
Konsumi mesatar i internetit zbriti në 7.63 GB (gigabyte) internet në muaj, në rënie me 1.9% krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë.
Momentalisht tregu celular në vend është një duopol, me kompanitë One dhe Vodafone që operojnë. Në mesin e këtij viti, Vodafone Albania, raportonte rritje vjetore me 12.2% në numrin e përdoruesve aktivë, ndërsa One Albania ka raportuar një rënie të lehtë me 0.3%. Sidoqoftë, One Albania vazhdon të kryesojë, me 51.2% të numrit të përgjithshëm të përdoruesve aktivë.
Kalimi i One në vend të parë vjen si rezultat i bashkimit me Albtelecom. Këtë vend më herët e mbante Vodafone.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




