Nga Gazeta ‘SI’ – Gjatë vitit 2025, në sistemin bankar shqiptar u kryen rreth 59.2 milionë pagesa me një vlerë totale prej 7.6 miliardë lekësh, në rritje të fortë krahasuar me një vit më parë, 23%.
Banka e Shqipërisë llogarit në raportin vjetor, se numri i pagesave elektronike për frymë, arriti në 29 në vit, duke reflektuar përdorim gjithnjë e më të gjerë të shërbimeve digjitale, ndonëse ende nën nivelet e vendeve të BE-së.
Po ashtu, për herë të parë, kartat bankare po përdoren më shumë për pagesa sesa për tërheqje cash, duke sinjalizuar një ndryshim të qartë në sjelljen e konsumatorëve. Aktualisht, rreth 67% e pagesave kryhen me karta, ndërsa numri i tyre është rritur ndjeshëm gjatë vitit. Përdorimi dominohet nga individët, që përbëjnë 94% të transaksioneve me kartë.

Në fund të vitit 2025, thotë BSH, në qarkullim ishin mbi 1.65 milionë karta aktive (+9.4%), ku pjesën kryesore e zënë kartat e debitit (88.1%), të ndjekura nga kartat e kreditit (7.3%) dhe ato me para elektronike (4.6%). Paralelisht, përdorimi i kartave për blerje në terminalet POS është rritur ndjeshëm, me 39%.
Po ashtu, 66% e transfertave bankare janë realizuar online, ajo që njihet si “homebanking”. Rritja e aksesit në internet, ulja e komisioneve dhe përmirësimi i shërbimeve kanë nxitur këtë transformim digjital.
Megjithatë, pavarësisht këtij progresi, përdorimi i parasë elektronike mbetet ende në nivele relativisht të ulëta, argumenton Banka.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)




Lini një Përgjigje