Nga Gazeta ‘Si’-Edhe këtë herë, shqiptarët në dy anët e kufirit do i këmbejnë rolet për festat e Nëntorit.
Siç ndodh prej vitesh tashmë, agjencitë turistike pohojnë për Gazetasi.al se shqiptarët nga Kosova “po i rrinë sërish besnikë shtetit amë” dhe kanë nisur të rezervojnë që në fillim të muajit nëntor, kryesisht për të festuar në Vlorë edhe në Korçë.
Ndërsa shqiptarët e kësaj ane të kufirit kanë zgjedhur prapë të festojnë jashtë shtetit duke mos e “thyer traditën”, por për shkak të krizës ekonomike, kësaj here më shumë me autobusë se sa me avionë.
Besnik Vathi nga Shoqata Shqiptare e Tur-operatorëve thotë për Gazetasi.al se pavarësisht se janë shtuar destinacione të reja në listë, rajoni mbetet ende më i preferuari.

Ndonëse ka oferta të brendshme për vendet brenda Shqipërisë, duke përfshirë këtu Dardhën, Vlorën, Voskopojën e Korçën, në sytë e qytetarëve shqiptarë vendet e rajonit janë më joshëse dhe paketat drejt tyre duken më konkurruese.
Në shumicën e tyre, e sidomos në Mal të Zi, hasesh tejpërtej me banderola të mëdha, të shkruara në shqip ku u bëhet thirrje shqiptarëve të festojnë atje, shoqëruar me paketa joshëse dhe çmime ekonomike.
“Shqiptarët prej kohësh i kanë zgjedhur vendet e rajonit për të festuar, kjo edhe për shkak të afërsisë gjeografike por edhe për shkak të çmimeve të lira. Këtë vit, shumica e tyre po zgjedhin të udhëtojnë me autobusë edhe drejt destinaconeve pak më të largëta se Maqedonia apo Mali i Zi, si Greqia, Kroacia apo Bullgaria”, vijon mandej ai.
Krahasuar me vitin e shkuar ku shumë nga lëvizjet drejt shteteve europiane ishin të kufizuara për shkak të Covid-19, rezervimet këtë vit janë më të shumta në numër.
Listës së destinacioneve gjithnjë të preferuara si Roma apo Parisi, i është shtuar këtë vit edhe Dubai.
“Linjat direkte të fluturimit por edhe paktetat që në këtë periudhë të vitit, me mbarimin e pikut të sezonit turistik, janë disi më të lira, e kanë bërë të preferuar këtë destinacion për shqiptarët”, thotë më tej ai.
Vlora është rifutur sërish në garë me Korçën
Edhe pse Vlora është qyteti simbol i festave të Nëntorit, festat gjithnjë e më shumë po bëhen në Korçë e cila duket se këto vite ka qenë në pararojë krahasuar me të në këtë drejtim.
“Korça i ka kthyer festat e Nëntorit dhe të fundvitit kryesisht në një ‘brand’ të saj. Edhe pse në fakt ajo ka një tjetër asilloj turizmi nga Vlora. Në Vlorë po punohet për turizmin kulturor si nga ana e pushtetit vendor dhe aktorëve të sektorit dhe rezultatet tani kanë filluar që të duken.
Hotelet kryesisht i kanë bërë vetë ofertat për klientët duke përfshirë dhe ndonjë mbrëmje festive brenda ambienteve apo duke e bërë vetë guidën lokale me anë të mjeteve të tyre transportit, por këto shërbime nuk janë ofruar si paketa tek agjensitë në mënyrë që t’i shisnin”, thotë për Gazetasi.al Migen Xhelo, specialist turizmi dhe njëkohësisht administrator i agjencisë “ Travel Club Albania” në Vlorë.

Situata paraqitet njëjtë me përgatitjet edhe në Korçë.
Çmimet mesatare që po ofrohen në hotelet e Korçës variojnë ca më pak apo ca më shumë nga 3500 lekë në 4500 lekë. Në shumë prej tyre përfshihet ndonjë vakt dhe do organizohen festime për të cilat klientët duhet të paguajnë plus.
Çmimet e biletave të avionit shtrenjtohen, linjat ‘low cost’ jo dhe aq ‘low’
Edhe pse prej dy vitesh çmimet e biletave për fluturime brenda Europës ishin më të lira për shkak të konkurrencës nga linjat “low cost”, kjo situatë nuk do të reflektohet gjatë periudhës së festave.
Edhe linjat “low cost” kanë ardhur duke u shtrenjtuar gati çdo ditë për destinacione të ndryshme dhe kjo rritje duket se do të vazhdojë deri në fund të muajit.
Një biletë vajtje për në Paris më linjën Wizz Air kushton rreth 120 euro ndërsa bileta e kthimit është akoma edhe më e shtrenjtë, deri në 284 euro.

Biletat mbeten po aq të shtrenjta edhe për destinacione si Gjermania apo Italia, kryesisht deri në 200 euro për një udhëtim vajtje-ardhje.
Vetëm pak ditë më pas, duke nisur nga dhjetori, çmimet e biletave bien në 30euro për destinacione si Milano.
Edhe pse krizë pas krize, me pandeminë në mes, shqiptarët sipas operatorëve turistikë kursejnë disa kohë më shumë vetëm e vetëm që këto ditë t’i kalojnë jashtë Shqipërisë.
Festat e Nëntorit sigurojnë një fundjavë të gjatë 4-5 ditore kryesisht për punonjësit e administratës publike, bankave dhe kompanive.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




