Taksa

Shqiptarët paguajnë më shumë taksa në raport me të ardhurat se të gjitha vendet e OECD-së

Nga Gazeta 'SI' - Pesha e taksave të punës për një familje në Shqipëri, është më e lartë se vendet e OECD-së, Organizata për Bashkëpunim dhe Zhvillim Ekonomik dhe ka ndikim negativ në kërkesën për fuqi punëtore. Kështu gjen një analizë e qendrës Altax, bazuar mbi të dhënat e raportit të OECD-së.

Studimi e ndan peshën e taksave sipas strukturës së familjes ku rezulton se në Shqipëri, një individ i vetëm i punësuar me pagë të lartë, ka barrë më madhe tatimore.

Specifikisht, raporti thekson se një familje me pagë të vetme, me status beqar dhe pa fëmijë, kishte një peshë tatimore 13.3% më të lartë se një vit më parë, në fund të vitit 2023. Kjo është matje për një pagë 128.6 mijë lekëshe. Sa më shumë të rritet paga, aq shumë rritet dhe barra tatimore.

Për një familje pa fëmijë, me status beqar, qe paguhet me një pagë mestarë, deri në fund të vitit 2023, barra tatimore i është rritur me 0.7%. Kjo fashë page është në pozicionin midis 60 deri 90 mijë lekë në muaj dhe përfshin deri 20% të punonjësve që përfitojnë këtë nivel page

Një familje me një pagë të vetme në vlerë sa 67% e pagës mesatare, me status beqar pa fëmijë ka një rënie të barrës së taksave të punës me 0.3%. Kjo rënie vjen për arsye të ndryshimit të pragjeve të taksimit të pagës. Kjo fashë page është mbi nivelin minimal të pagës dhe i përket fashës së dytë dhe të tretë. Ky grup përbën rreth 29.5% të punëmarrësve të vendit.

Pesha e tatimit mbi pagën dhe kontributeve shoqërore dhe shëndetësore në Shqipëri është e lartë dhe ka një ndikim negativ në kërkesën për fuqi punëtore. Përpos efektit negativ në tregun e punës, një barrë e lartë taksash ndikon dhe tek frenimi i konsumit të familjeve dhe të fuqizimit të ekonomisë familjare me të ardhura nga puna. Një efekt direkt është edhe nxitja për rritjen e tregut informal të punës, kryesisht në sektorin privat.

Një familje në çift, me 2 fëmijë, me vetëm një pagë në nivelin e pagës mesatare, në fund të tremujorit të katërt 2023 ka një barrë margjinale tatimore me 2.1% më shumë se në fund të tremujorit të katërt 2022. Pesha kryesore vjen nga tatimi mbi pagën, i cili për pagat mesatare rritet me rritjen e vlerës së tyre.

Një familje në çift me 2 fëmijë, me dy paga, ku paga e parë është sa paga mesatare dhe paga e dytë është në nivelin sa 67% të pagës mesatare ka përsëri një rritje të peshës margjinale të taksave të punës me 2.9%, e cila rritet nga rritja e nivelit të pagave të familjes.

Një familje në çift me 2 fëmijë, me dy paga sa paga mesatare ka një rritje të peshës margjinale të taksave të punës me 1.5%, e cila është një rritje e peshës margjinale më e ulët se tipi i familjes më lart, për arsye se niveli i normës së tatimit në vitin 2022 për pagat nën pagën mesatare ishte më i ulët dhe pesha ishte më e ulët.

Nëse shikojmë peshën e taksave të punës në Shqipëri, në vitin 2023 ishte më e lartë për pagën e dytë në familjen me dy pagamarrës, në një mesatare taksimi për pagën e dytë prej 21.4% kundrejt një mesatare prej 31.8% për pagën e punonjësit të vetëm. Pesha e taksave është më e lartë se mesatarja e vendeve të OECD-së, për familjen me një pagë beqari sa 67% e pagës mesatare.

Analiza sugjeron se ulja e ngarkesës fiskale është një nevojë që mund të përdoret nga politikëbërësit në momentin kur pritet edhe vendimi i Gjykatës Kushtetuese lidhur me tatimin e të ardhurave personale nga puna, i kundërshtuar nga disa grupe interesi dhe që kërkon pikërisht ndryshim të barrës tatimore.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë