Analize

Shqiptarët, nga emigrantë në trafikantë refugjatësh?

Mijëra persona zbritën në breg gjatë natës, të veshur me rroba të vjetëruara e të arnuara. Disa prej mbanin fëmijë fëmijë në krahë por kishin ecur për ditë të tëra nëpër shpatet e maleve shqiptare, në temperaturat nën zero. Shumë fëmijë vdiqën në brigjet e Evropës, ndërsa një anije që po lundronte nxitimthi në Detin Adriatik u përplas me një anije detare italiane duke u përpjekur të hynte në ujërat e vendit fqinj. Këto raporte ishin të zakonshme gjatë viteve 1990, pasi dhjetëra mijëra refugjatë shqiptarë u arratisën nga diktatura komuniste e Enver Hoxhës pas vitesh të tëra varfërie dhe shtypjeje.

Sot, peizazhi politik në Shqipëri është disi më pozitiv, por refugjatët vazhdojnë të qarkullojnë në kufinjtë e vendit. Kriza humanitare në Greqi dhe Itali ka bërë që Shqipëria të bëhet një pikë e rëndësishme për kalimin e refugjatëve sirianë dhe irakianë, me shpresën se do të mund të hyjnë në Europën Perëndimore. Hyrja në Shqipëri përmes Greqisë,  duket mjaft  e vështirë, me malet armiqësore, humnerat e papritura, pyjet e dendura dhe një sërë tabelash përgjatë autostradës që paralajmërojnë për arinj dhe ujqët. Por disa vëzhgues, si Vassilis Nitsiakos, një profesor i historisë në Universitetin e Janinës, mendojnë se kufiri prej 280 km është i depërtueshëm për ata që kanë informacionin e duhur.

"Unë kam ecur shumë herë nëpër këtë kufi në mënyrë të paligjshme. Shkoj me nxënësit e mi- qesh Nitsiakos- Verën e kaluar kemi kaluar 20 minuta në kufirin me Konitën në Greqi, pastaj pas dy orësh ishim në Shqipëri.

Në fakt kjo është një rrugë historike, mijëra emigrantë shqiptarë e kanë përdorur  dhe vazhdojnë ta përdorin për të punuar në Greqi gjatë ditës dhe kthehen në fshatin e tyre gjatë natë. Nëse e bëjnë banorët, sigurisht që mund ta përdorin edhe refugjatët. Megjithatë, pyetja e ngritur se fundmi nga mediat gjermane është a ka një rrugëdalje nga Shqipëria? "

Reporterët e të përjavshmes “Spiegel” kanë vizituar zonat kufitare shqiptaro-malazeze, duke ngritur alarmin se refugjatët po ndihmohen nga trafikantët shqiptarë të qenieve njerëzore. Sipas revistës gjermane, shqiptarët ndihmojnë një numër të madh refugjatësh çdo ditë për të kaluar në shtigje kufitare që nuk mbikëqyren nga autoritetet. I intervistuar nga gazetarët gjermanë, një trafikant shqiptaro-malazez nga Ulqini, i identifikuar me emrin Bajram, rrëfen se bëhet fjalë kryesisht për refugjatë të strehuar në kampet e Turqisë. Ai shprehet se u tregon emigrantëve rrugët në këmbim të parave. Ndërkohë sipas raporteve të autoriteteve shqiptare, 106 refugjatë janë kapur nga policia shqiptare nga data 22 maj deri në datën 2 qershor. Madje sipas kësaj statistike të dhënë nga vetë policia, çdo 24 orë në vendin tonë ndalohen mesatarisht 10 refugjatë të huaj. Për shkak të numrit të madh të refugjatëve që po kalojnë tranzit nga Shqipëria drejt vendeve të BE, kreu i Frontex Fabrice Leggeri tha se do të vendosen 45 oficerë europianë në kufirin mes Shqipërisë dhe Greqisë.

Numri më i madh i personave të kapur brenda territorit shqiptar i përket shtetasve nga Siria, ndërsa janë regjistruar edhe raste të ndalimit të shtetasve nga Jemeni, Iraku, Algjeria, Libia dhe Pakistani. Pjesa më e madhe e këtyre refugjatëve të ndaluar janë kapur në zonën e Shkodrës teksa tentojnë të kalojnë kufirin drejt Malit të Zi me destinacion vendet e BE duke kaluar tranzit nga Shqipëria. Sipas komunikatave të policisë së shtetit, në të gjitha rastet e konstatuara, refugjatët kanë hyrë në vendin tonë në rrugë ilegale nga kufiri i gjelbër pranë Kakavijës dhe më pas kanë tentuar të kalojnë tranzit. Pak ditë më parë, kryeministri shqiptar Edi Rama është shprehur se në Shqipëri, përgjatë muajve të parë të këtij viti, janë ndaluar rreth 2000 emigrantë, ndërsa në Malin e Zi u ndalun 1200 persona. Megjithatë një numër më i vogël i refugjatëve nga vendet e lindjes, pasi kanë hyrë në Shqipëri, janë paraqitur në zyrat e kufirit dhe migracionit në Tiranë dhe kanë kërkuar azil.

Ndryshe nga vendet fqinje, opinio publik shqiptar nuk është kundër strehimit të refugjatëve, pasi në vendin tonë janë ende të freskëta kujtimet e afro një dekade e gjysëm më parë kur Shqipëria hapi portat dhe shqiptarët dyert e shtëpive të tyre për rreth 500 mijë bashkëkombas nga Kosova të cilët u larguan nga vatrat e tyre për ti shpëtuar genocidit serb. Megjithatë, raportet e fundit për trafikimin e emigrantëve kanë shkaktuar jo pak zemërimin tek qytetarët shqiptarë, të cilët ishin dikur refugjatë në kërkim të shpresës, ashtu si të arratisurit nga Siria dhe Iraku.

A ka Shqipëria infrastrukturë për strehimin e tyre?

Për qeverinë, një shqetësim po aq i madh se trafikimi i i refugjatëve, është depërtimi i një numri të madh prej tyre në territorin shqiptar, pasi vendi ynë nuk ka infrastrukturën e duhur  për t'i akomoduar. Policia shqiptare bën me dije se të gjithë refugjatët e ndaluar së fundmi janë dorëzuar në qendrën e azilkërkuesve dhe strehimit të refugjatëve në Babrru por numri i lartë i të huajve që dërgohen aty çdo ditë duket se e ka vënë në vështirësi edhe këtë institucion. Kryetarja e zyrës së UNHCR-së në Tiranë e ka parashikuar këtë situatë alarmante rreth dy vite më parë, kur ngrinte alarmin se qeveria shqiptare nuk ka burimet e nevojshme për strehimin e refugjatëve.

"Ata (autoritet shqiptare) kanë kazerma ushtarake në kufirin jugor dhe thonë se janë të gatshëm t’i përdorin për strehimin e refugjatëëve, por unë nuk mendoj se janë gati- shprehej Marie-Helene Verney për “Al Jazeera”- Shqipëria ka një mungesë kuadri dhe bashkëpunimii në këtë fushë dhe nuk ka burime të mjaftueshme.

Afarë ndodhi? Qeveria shqiptare ka qenë jashtëzakonisht e gatshme të angazhohet publikisht për strehimin e tyre, dukë thënë se refugjatët e kanë rrugën e hapur për t’u strehuar në Shqipëri. Kryeministri shqiptar Edi Rama ka deklaruar se vendi është i përgatitur nëse një fluks emigrantësh nga Siria do të hynin në kufirin shqiptar. “Ka një mundësi shumë të lartë që me ardhjen e dimrit dhe me vështirësitë e tjera … ata të mund të lëvizin në një tjetër kanal. Ju nuk do të na gjeni të papërgatitur, por kjo varet edhe nga dendësia e fluksit të refugjatëve” tha zoti Rama gjatë një interviste për agjencinë Reuters.

Por, aktualisht Shqipëria ka vetëm tre qendra të përhershme për pritjen e refugjateve, të cilat ndodhen në Marqinet, Gjirolastër dhe Babrru. Kapaciteti i tyre është tejet i vogël. Sipas disa burimeve qeveritare, autoritetet mund të hapin edhe disa kampe provizore në rast se kërkohet, por tani për tani, ndryshe nga vendet fqinje, Shqipëria do të ishte e paaftë për strehimin e një numri të madh refugjatësh.

Ballkani në vështirësi

Ballkani duket se është kthyer në rrugën e vetme të refugjatëve, për të shkuar drejt Europës Perëndimore, një situatë që duket se ka alarmuar më së shumti autoritetet boshnjake, Ato thonë se që prej fillimit të vitit, në kampet e këtij vendi janë strehuar mbi 5 mijë emigrantë të jashtëligjshëm, 7 herë më shumë se e njejta periudhë e një viti më parë.

Kampet e Bosnjës konsiderohen një nyje e rëndësishme për emigrantët ilegalë për të vazhduar rrugën drejt vendeve të zhvilluara europiane. Disa po ikin nga lufta, por shumica vijnë nga kampet e vendeve fqinje.  Sipas Peter Van der Auëeraert, ekspert i Organizatës Ndërkombëtare për Migracionin, shumica e të sapoardhurve janë refugjatë që kanë qenë të mbërthyer në Serbi ose Greqi, të cilët janë të frustruar nga situata në këto vende dhe po përpiqen të gjejnë një rrugë të re. Qendrat e refugjatëve në Serbi po zbrazen me shpejtësi. Të tjerët vijnë përmes Shqipërisë dhe Malit të Zi.

Vitin e kaluar vetëm 755 refugjatë të rinj u regjistruan në Bosnjë, por këtë vit numri ka arritur pothuajse 5,000, më shpresën se do të mund të arratisen drejt Koracisë, për të hyrë më pas në Perëndim. Më 30 maj, policia kroate hapi zjarr ndaj një furgoni me emigrantë që vinin nga Bosnja, duke plagosur dy fëmijë. Në përpjekje për të ndaluar radhët e refugjatëve, Bosnja ka dërguar policë shtesë në kufijtë e saj me Serbinë dhe Malin e Zi. Nga ana tjetër, Hungaria, e cila ndërtoi një gardh shumë efektiv në kufirin e saj me Serbinë për të ndaluar kalimet e paligjshme, i ka premtuar Malit të Zi të ndërojë një gardh me tela prem 23 kilometrash në kufirin e tij me Shqipërinë.

Burimet: "The Economist", "Spiegel online", "Al Jazeera"


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë