40% e shqiptarëve kanë kursyer para jashtë sistemit bankar gjatë pandemisë. Nga një vrojtim i Bankës Qendrore së Austrisë (OeNB-Euro-Survey), kjo rritje ishte e madhe kur në vitet 2017-2018 vlerësohej në nivel të 26%.
Tendenca për mbajtur kursimet jashtë bankave ka shënuar rritje në katër vitet e fundit, edhe si pasojë e interesave të ulëta që ofrojnë bankat. Sipas Vrojtimit, Serbia është vendi me preferencën më të lartë për t’i mbajtur kursimet jashtë bankave. Gjatë 2019-2020, rreth 52% e personave me kursime kanë pohuar se preferojnë t’i mbajnë ato jashtë bankave.
Në nivel të lartë të mosbesimit ndaj bankave cilësohen dhe rumunët dhe kroatët me përkatësisht 42 dhe 44% me kredi jashtë sistemit bankar.
Çekët dhe bullgarët rezultojnë me besim më të lartë ndaj bankave pasi kanë një përqindje shumë më të ulët se mesatarja e vendeve të Europës Juglindore të atyre që preferojnë të mbajnë paratë jashtë bankave.

Ekspertët e Bankës Qendrore të Austrisë, duke analizuar fenomenin, thonë se mungesa e besimit në sistemin bankar (në veçanti një mungesë e perceptuar e sigurisë së depozitave) është një faktor kryesor në shpjegimin e preferencës së fortë të individëve për të mbajtur kursimet në shtëpi.
Performanca e dobët institucionale, cilësia e dobët e zbatimit të ligjit si dhe një depërtim i ulët i bankave në rajonet rurale, përbëjnë faktorë të rëndësishëm që shpjegojnë zgjedhjen për para cash.
Shqipëria ka rezultuar gjithmonë konservatore e parasë së thatë.
Sipas BSH-së në fund të vitit 2020, jashtë sistemit bankar qarkullonin 344 miliardë lekë (2.8 miliardë euro).Të dhënat tregojnë se në 2020-n, është shënuar rritja më e fortë vjetore, me 53 miliardë lekë, ose 18% më shumë, që nga viti 2002.
Në Eurozonë, sipas të dhënave nga Banka Qendrore Europiane, niveli i parasë jashtë bankave ishte rreth 9% e totalit. Edhe në rajon ky tregues është më i ulët se 10%.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.