Treg

Shqiptarët konsumuan më shumë për fundjavën e zgjedhjeve, por harruan bukën

Fundjava e zgjedhjeve në Shqipëri, përveç dinamikës dhe një sërë ndjesish të përziera për qytetarët shqiptarë, duket të ketë ndikuar pozitivisht në ekonomi.
Pas lajmit se atë fundjavë shqiptarët investuan masivisht në kriptomonedha, “investuan” edhe në ushqim.
Nën presionin e psikologjisë së turmës dhe ndryshimeve të papritura, qytetarët blenë sasi të mëdha mallrash konsumi në një fundjavë.
Një punonjëse e rrjetit të supermaketeve franceze “Spar” në Shqipëri, tha për gazetën “SI” se është vënë re një rritje e shitjeve gjatë 2 ditëve të fundjavës së zgjedhjeve.
“Ka patur luhatje shumë. Na bën përshtypje që përveç blerjeve masive të produkteve të shpejta, klientët synonin të furnizoheshin me makarona, vaj dhe mallra të kësaj natyre”- tha punonjësja e “Spar” për gazetën “SI”.
Ajo shtoi se janë blerë pafund edhe ëmbëlsira.
Në një tjetër supermarket shqiptar, “Xhangolli”, punonjësit u shprehën se më 24-25 prill, u shtuan blerjet, e sidomos të pijeve freskuese dhe alkoolike.
“Pijet freskuese dhe birrat u blenë në sasi të mëdha”,- tha punonjësja e “Xhangolli”. “Madje, na ka rënë në sy që shumë nga këta klientë ishin të rinj. Supozojmë se u ka rënë rruga këtej dhe kanë ndaluar,”- shtoi ajo.
Pra, në një situatë të tillë qytetarët shqiptarë mund të lëvizin nga zona e tyre e rehatisë e ndoshta të investojnë diku gjetkë, jo aty ku mbahen gjithmonë.
Në një furrë buke me emrin “Rea” në Tiranë, nuk ishte vënë re diçka e tillë, as rritje konsumi apo klientë të rinj. Në fakt kishte ndodhur e kundërta.
“Me kolegen këtu bisedonim nëse ‘njerëzit kanë harruar të hanë nga stresi i zgjedhjeve’ sepse erdhën shumë pak blerës dhe u shitën shumë pak bukë në krahasim me ditët normale”, – u shpreh për gazetën “SI”, punonjësja e furrës “Rea”.
Qytetarët shqiptarë shtojnë konsumin dhe rrisin ekonominë në mënyrë pasive. Ata nuk e dinë që blerja e disa pakove makarona më shumë se normalisht në supermaketin e lagjes do të ndikojë në inflacion. Ata nuk e dinë që edhe mënjanimi i bukës si produkt është veprim i lidhur drejtpërdrejtë me ekonominë. Në një gjendje euforie njerëzit janë të prirur të marrin alternativën më të mirë të mundshme, e ndoshta duke “harruar” atë më pak të mirën që kanë pranë në gjendje normale.
Siç nisën të zëvendësojnë paranë fizike me atë digjitale, mund të jenë shqiptarët duke zëvendësuar bukën me produkte të gatshme apo…delivery?!


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë