Ekonomi

Shqiptarët kanë shpenzuar më pak në fillim të 2018-ës

Më pak shpenzime në fillimvit pas vërshimit të blerjeve në fundvitin që lamë pas.

Shqiptarët kanë reduktuar shpenzimet e tyre me 0,29 % krahasuar me tre mujorin e fundit të vitit 2017. Të dhënat janë të Institutit të Statistikave, i cili ka bërë publike ditën e sotshme ecurinë ekonomike të tre muajve të parë të vitit 2018.

Sipas të dhënave sezonale (metodologji e INSTAT), konsumi final i qeverisë u rrit me 1,01 %, komponenti i Formimit bruto të kapitalit fiks shënoi një rritje me 2,32 %, eksportet e mallrave dhe shërbimeve u rritën me 2,52 % ndërsa Importet e mallrave dhe shërbimeve u rritën me 3,30 %.

Megjithatë në gjithësi për tre mujorin e parë të 2018-ës, ekonomia shqiptare rezulton me rritje, si në raport me tre mujorin paraardhës (1,15%), po ashtu edhe me të njëjtën periudhë të një viti më parë (4,5%).

Vihet re që Aktiviteti i Industrisë, Energjisë dhe Ujit ka ndikuar në të dy matjet për rritjen e ekonomisë e pasuar nga rritja e sektorit të bujqësisë, Industria Përpunuese dhe Energjia Elektrike, etj. Sektorët e ekonomisë që kanë performuar keq rezultojnë të jenë Informacioni dhe Komunikacioni dhe Aktiviteti Financiar dhe i Sigurimit .


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë