Të dhënat e Bankës së Shqipërisë tregojnë se kredia konsumatore po rritet me ritme të shpejta në pjesën e parë të këtij viti.
Në muajin maj sektori bankar dha rreth 2.5 miliardë lekë, gati dy herë e gjysmë më shumë krahasuar majin e vitit të kaluar.
Në total, kredia e re për qëllime konsumi për periudhën janar-maj arriti në 11 miliardë lekë, duke u rritur me 43% krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë. Kjo është njëkohësisht edhe vlera më e lartë e kredisë konsumatore e disbursuar për periudhën pesë mujore, në pesë vitet e fundit.
Në fund të majit portofoli i kredisë konsumatore arriti vlerën e 53 miliardë lekëve ose rreth 430 milionë euro.
Në përgjithësi, rritja e kreditimit në pjesën e parë të këtij viti është mbështetur nga huaja për individët ku sipas statistikave për pesë mujorin e parë kredia e re në këtë segment arriti vlerën e pothuajse 29 miliardë lekëve ose rreth 235 milionë euro.
Krahasuar me vitin e kaluar, kreditimi për individët është rritur me 57% ose më shumë se 10 miliardë lekë.
Një ndër të paktët produkte të kredisë konsumatore që nuk ka shënuar rritje është paradhënia bankare ose overdraft. Vlera e overdafteve të reja të dhëna gjatë këtij viti është nivele të përafërta me pesëmujorin e parë të vitit të kaluar.

Të dhënat e Instat treguan se as në tremujorin e parë të këtij viti konsumi nuk u shërua plotësisht nga efektet e pandemisë së Covid-19.
Konsumi final i popullatës për tre muajt e parë të vitit u rrit me më pak se 1.5% ndaj të njëjtës periudhë të vitit të kaluar. Kjo rritje ishte lehtësisht më e ulët krahasuar me rritjen, me bazë vjetore, të tremujorit të fundit 2020.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)



