Treg

Shqiptarët edhe kur udhëtojnë jashtë, akomodohen te miqtë

Mesatarisht në vitin 2018 një individ në Shqipëri ka kryer 1,9 udhëtime. Por zgjedhja e parë e tyre e akomodimit është te të afërmit apo miqtë.

Sipas Anketës së Turizmit “Pushime dhe Udhëtime” 2018, të publikuar nga INSTAT, në vitin 2018 u bënë 4.5 milionë udhëtime për qëllime personale apo biznesi (brenda apo jashtë Shqipërisë) të kryera nga individët që banojnë në Shqipëri të moshës mbi 15 vjeç. Udhëtimet për qëllime personale përbëjnë 95,6 % të udhëtimeve gjithsej, ndërsa udhëtimet për qëllime biznesi 4,4 % të tyre.

Lloji më i shpeshtë i akomodimit në të dy vitet 2017-2018 është “të qëndruarit tek të afërmit apo miqtë”, ndjekur nga kategoria “hotel” dhe “shtëpi ose apartamente të dyta për pushime” apo “ambjente akomodimi me qira”.

Në vitin 2018 vërehet rritje për kategorinë “hotel” prej 7,0 pikë përqindje, dhe 1,1 pikë përqindje për kategorinë “shtëpi ose apartamente të dyta për pushime”. Ndërkohë ulja më e madhe është regjistruar për kategorinë “ambjente akomodimi me qira” me 5,1 pikë përqindje.
Në vitin 2018, janë regjistruar 0,7 % më pak udhëtime në të gjithë Shqipërinë dhe jashtë saj krahasuar me vitin 2017, rënie e cila ka ardhur si rezultat i uljes së udhëtimeve të kryera për qëllime biznesi në Shqipëri.

Anketa e Turizmit në Familje, “Pushime dhe Udhëtime” është një vrojtim statistikor që kryhet pranë njësive ekonomike familjare (NjEF) dhe ka objekt të gjithë individët me vendbanim të zakonshëm në Shqipëri mbi 15 vjeç.

Anketa mbledh të dhëna mbi udhëtimet me të paktën një natë fjetjeje për pushime, udhëtime pune dhe udhëtime të tjera, si dhe udhëtimet vajtje-ardhje, brenda dhe jashtë vendit.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë